Një kilogram patate në tregun e pakicës shitet nga 60 deri në 70 lek për kilogram. Ndërsa në tregun e shumicës e gjen me 50 lek për kilogram.
Hakil Shehu një ndër tregtarët më të vjetër të shumicës në qytetin e Kukësit shprehet se këtë sezon çmimi i patates ka pësuar rritje me 15 lek/ kg. Ndërkohë që janë rritur edhe çmimet për fasulen dhe qepën.
"Krahasuar me një vit më parë është 150 lek më shtrenjte (të vjetër.)për të shkuar tek fermeri e gjen me 450 lek. Këtu me shumicë e shesim me 50 lek/kg. Sivjet është krizë janë më shtrenjtë të gjitha prodhimet si fasulja apo qepa", tha një tregtar..
Report Tv ka udhëtuar drejt Shishtavecit, zonës më të njohur për prodhimin e patates në vend. Fermerët janë në sezonin e vjeljes dhe shprehen se hasin shumë vështirësi në kultivimin e kësaj kulture bujqësore, si mungesa e vaditjes, makinerive bujqësore e deri mungesa e krahut të punës, pasi të rinjtë kanë emigruar.
"Tregun nuk e kemi të garantuar nuk kemi pikë grumbullimi. Ka raste që nuk shitet, disa vite na ka shkuar prodhimi dëm. Tani kanë filluar të vijnë tregtarët, edhe rini nuk ka për të punuar, janë larguar jashtë. Me shitjen e këtyre patateve ne hamë një vit bukë."
"Po me këtë jetojmë ne me pataten. Shitja deri tani mirë, por nuk e dimë për çmimet si do shkojë."
"E sheh vete me kuaj e mbjellim edhe me traktorë por për të punuar tokën është 25 mijë lek dynymi. Sivjet e shesim me 450, mirë duket por shumë vite ka ngelur pa shitur. Del pranvera dhe i kemi hedh. Këtë të vit ka nis shitja, por si vazhdon nuk e dimë se s'ka garanci. "
"Kultivimi është i vështirë, çdo gjë është me lek, ka shpenzime për të prodhuar patatet. Ne kërkojmë treg të sigurt, një çmim dysheme. Shteti me qenë i fortë nëse nuk shitet patatja të subvencionon. Këto janë arsyet që kanë mbetur tokat djerr edhe rinia nuk është prezente. Po kështu mungon vaditja, kemi një rezervuar por kërkojmë që qeveria të bëjë një kanal të mbulojë ujitjen se do të jetë prodhimtaria e madhe, edhe ccmimi pastaj mund të bie. Jashtëzakonisht problem është vaditja". thanë disa nga fermerët
Rritja e shpenzimeve për fermerët dhe mungesa e një pike grumbullimi ka bërë që sot patatja e Shishtavecit të shitet më shtrenjtë dhe e gjitha kjo rëndon mbi xhepat e konsumatorëve.