Mungesa e reshjeve po rrit koston në buxhetin e shtetit për të përballuar importin e energjisë elektrike. Për të garantuar furnizim pa ndërprerje për muajin tetor janë shpenzuar afërsisht 15 milionë euro.
Në tenderin e fundit të zhvilluar nga Korporata Elektroenergjetike për datat 23-29 tetor janë blerë në bursën ndërkombëtare të energjisë 45,560 megavat, ku çmimi më i lartë ka qenë 124 euro/megavati dhe më i lirë ishte 105 euro një megavat.
Në total për të garantuar energji për këtë javë janë shpenzuar mbi 5.3 milionë euro, ndërsa fatura për dy javët e para të këtij muaj ishte mbi 9.5 milionë euro, dhe çmimi mesatar ishte 98.18 euro për megavat. Këtë muaj janë blerë afro 140 mijë megavat energji në tregjet e huaja.
Sipas llogaritjeve të vlerave të importit të energjisë në bazë të ankandeve të bëra nga KESH, rezulton se deri më tani janë importuar 48.9 milionë euro energji elektrike, ku 1/3 e kësaj vlere i përket vetëm këtij muaj.
Eksportet 35,499,736 euro
Importet 48,964,207 euro
Deficiti -13,464,471 euro
Një ditë më parë Report TV, transmetoi neglizhencën e Ministrisë së Energjisë për të plotësuar me aktet e tjera ligjin për nxitjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme, që ju jep të drejtën bizneseve që prodhojnë energji përmes paneleve diellore për konsum vetjak, të depozitojnë në rrjet tepricën.
Nëse ligji do të ishte plotësuar me VKM apo udhëzime siç janë të nevojshme, këto biznese do të mund ta depozitonin energjinë dhe vendi nuk do të detyrohej të dilte shpesh në tregjet e huaja për të importuar.
Një tjetër projekt që do kishte pasur impakt në uljen e importeve do të kishte edhe vënia në punë e termocentraleve lundruese të marra me qira që janë vendosur në portin e Vlorës.