Prej ditës së enjte, 20 korrik 2023, në portin e Durrësit, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas nisin lundrimet e dyfishta për të përballuar rritjen e numrit të udhëtarëve.
Kapiteni i portit të Durrësit, Tauland Allka, shpjegon se do jenë 5 lundrime në ditë të trageteve, ndërkohë që pritet të mbërrijnë në portin më të madh në vend më shumë se 7 000 udhëtarë çdo 24 orë.
“Dy javët e fundit pritet fluks nga Zvicra, pastaj me gushtin ku vijnë atdhetarët nga vendet e tjera të BE-së. Nga dita e neserme operojmë me 5 tragete, 4 tragete Durrës-Bari dhe nje traget çdo ditë Durrës-Ankona deri në fund të shtatorit. Për përpunimin e mjeteve dhe pasagjereve në terminal do të hapen 32 sportele, sepse presim të mbërrijnë 7 mijë udhëtarë çdo ditë” tha Kapiteni.
Për të përpunuar në kohë rekord pasagjerët dhe mjetet, është rritur ndjeshëm numri i sporteleve në terminalin e trageteve.
“Nga koncesionari i terminalit të trageteve, nga Policia Kufitare, nga Dogana Durrës dhe Forca e Sigurisë e portit janë marrë masat për të punuar me kapacitetet maksimale. Do punojmë me 32 sportele, 20 për makinat dhe 12 sportele për pasagjerët këmbësorë, që do të kalojnë në terminal”,– tha Allka.
Gjatë muajit qershor transporti i udhëtarëve me tragetet e linjave të Barit dhe Ankonës u rrit me 13%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Statistikat tregojnë se janë përpunuar rreth 50,000 udhëtarë dhe 18,670 automjete në hyrje-dalje.