Dëshira për të marrë një profesion apo zanat të kërkuar në tregun e punës ka rritur interesin e të rinjve që ndjekin kurse trajnimi në Fier. Janë mbi 330 të rinj që aktualisht janë të regjistruar falas në një Qendër, ku profesionet më të kërkuara janë elektricist, hidraulik, kuzhinier, parukier dhe estetikë.
“E kam filluar kursin e kuzhinës për shkak se e kam pasion dhe shpresoj të gjej një vend pune të mirë”, tha një kursante.
Banore e Fierit, vajza mezi pret të përfundoj kursin dhe bisedimet për një vend pune i ka nisur që tani.
Pamundësia për të gjetur veten në treg ka rritur interesin e të rinjve që ndjekin kurset profesionale në Fier. Një tjetër kursante, nga Levani shkon në Fier për të mësuar zanatin e parakueres.
“Mendoj se ky është një investim shumë i mirë për veten time për të hapur një biznes familjar”, tha një parukiere
Instalime elektrike, hidraulik, rrobaqepsi, parukeri-estetike dhe kuzhinë janë ndër kurset më të kërkuara dhe të frekuentuara nga të rinjtë të cilat ofrohen falas në Qendrën e Formimit Profesional dhe Publik, në Fier.
“Kam zgjedhur kursin e kuzhinës në Fier dhe e kam shumë qejf”, tha një kursant
“Në këtë qendër vazhdojnë rreth 330 kursant dhe kursante në të gjitha specialitetet ku grupmoshat që e interesuara janë mosha të reja nga 18 – 40 vjeç. Përveç punësimit që janë bërë në Qarkun Fier ose brenda vendit kemi punësime dhe në tregun rajonal e jashtë vendit”, u shpreh Drejtori i Qendrës së Formimit profesional Publik në Fier, Aleksander Lalaj.
Por në kurse profesionale nuk shkojnë vetëm të rinjtë. Për hidraulik ka interes edhe për mosha e larta.
“Grup moshat që vijnë dhe regjistrohen fillojnë nga moshat 16 vjeç dhe deri në 60 vjeç”, tha Bledar Cuko, instruktor i kursit hidraulik.
“ Ka goxha kërkesa dhe ato e gjejnë veten duke u punësuar në ndonjë biznes”, tha Eriona Kapaj, instruktore për parukeri.