Ekonomi

Rritet me 1.6% besimi në ekonomi në qershor! Shërbimet, sektori me përmirësimin më të madh, ‘ngec’ aktiviteti i ndërtimit

7 Korrik 2021, 17:46| Përditesimi: 7 Korrik 2021, 18:08

  • Share

Besimi në ekonominë e vendit vijon të rritet për të 7 muaj radhazi, duke dëshmuar se situata ekonomike po shkon drejt përmirësimit. Sipas Bankës së Shqipërisë në qershor treguesi i ndjesisë ekonomike është rritur me 1.6% krahasuar me muajin maj, ndërkohë që është 5.7% mbi mesataren historike të vendit.

“Dinamika pozitive e TNE-së në muajin qershor u përcaktua kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e shërbimeve dhe të tregtisë. Gjithashtu, besimi konsumator u përmirësua por në një masë më të vogël. Nga ana tjetër, besimi në sektorin e industrisë shënoi rënie, ndërsa besimi në sektorin e ndërtimit mbeti në nivel të përafërt me vlerat e muajit të kaluar”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Konkretisht sipas raportit besimi në sektorin e industrisë është ulur me 2.1% për shkak se është tkurrur prodhimi aktual si dhe janë në rënie edhe kontratat për eksportet. Por nga ana tjetër është përmirësuar gjendja financiare e këtyre bizneseve.

Ndërsa sektori i ndërtimit, i cili ka pasur kontributin kryesor në rritjen ekonomike, në qershor, nuk ka pasuar zhvillimin e muajve të kaluar. Sipas raportit në muajin e kaluar këto biznese raportojnë për ulje të aktivitetit të tyre edhe pse kontratat janë rritur.

Rritja më e madhe e besimit është regjistruar në sektorin e shërbimeve me 4.1%, krahasuar me muajin maj duke qëndruar mbi mesataren historike. Në këtë rritje ndikim kanë dhënë lëvizjet për qëllime turistike pasi është rritur kërkesa për shërbim, shfrytëzimi i kapaciteteve si dhe gjendja financiare e tyre.

Ecuria aktuale e biznesit e përmirësuar dhe rritja e punësimit kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e besimit në tregti. Ndërsa tek konsumatorët në rritjen e besimit ka dhënë ndikim pritja pozitive për situatën e përgjithshme ekonomike në të ardhmen, shoqëruar nga përmirësime të lehta për situatën e tyre financiare si dhe pritjet për blerjet në shuma të mëdha.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?