Ekonomi

Rritet me 18 mld lekë fatura për kompensimin e pronave! Në 5 vite janë paguar vetëm 788 ish-pronarë, Manja: Përfundoni procesin

7 Qershor 2021, 16:56| Përditesimi: 7 Qershor 2021, 17:34

  • Share

Në Shqipëri do të flitet gjatë për çështjen e pronave.  Deri në vitin 2020 janë kompensuar vetëm rreth 4.4% e ish-pronarëv, dhe parashikimi ligjor për të mbyllur çdo hesap me pronarët deri në vitin 2026, duket i parealizueshëm.

“Tashmë do të duhet të ketë një limit kohor se kur do i japim fund trajtimit të pronave të ish-pronarëve. Ish pronar e prona askund”, u shpreh në Komision Manja.

Nga viti 2016 kur ligji i ri për trajtimin dhe kompensimin e pronave hyri në fuqi, nga mbi 18 mijë vendime për kompensim, aktualisht janë trajtuar vetëm 788 dosje dhe janë dhënë për ish-pronarët 7.56 miliardë lekë dhe 713 hektar tokë.

Gjatë raportimit në komisionin e Ligjeve, kryetarja e ATP-së Jonida Baçi, tha se vlera totale e kompensimit të të gjithë ish-pronarëve, është 101 miliardë lekë. Ky fond nuk jepet i gjithi në para, por edhe në sipërfaqe toke, pasi shteti ka vënë në dispozicion për kompensimin e ish-pronarëve 50 miliardë lekë dhe 23 mijë hektarë tokë.

Konkretisht të gjithë qytetarët që janë subjekt i kompensimit kanë dy zgjedhje. Mund të marrin 20% në  lekë dhe 80% të vlerës, tokë, ose mund të marrin 40% të fondit lekë por në këtë rast, pjesa tjetër prej 60% i falet shtetit. Pra sipas ATP-së në të dyja mënyrat e kompensimit buxheti i dhënë nga shteti është i mjaftueshëm.

Kryetarja e ATP, u shpreh se pas vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtave të njeriut, për çështjen ‘Beshiri kundër Shqipërisë dhe 11 kërkesa të tjera’, janë bërë edhe ndryshimet e kërkuara në ligj, ku është rritur fatura financiare që shteti do të paguajë për mbi 10 mijë subjekte.

“Nga ndryshimet e bëra do të përfitojnë afërsisht 10.120 subjekte. Fatura financiare që do të përfitojnë në shtesë apo më tepër pronarët parashikohet të jetë rreth 18.2 miliardë lekë”, u shpreh kryetarja e ATP-së Baçi.

Çështja Beshiri kundër Shqipërisë dhe 11 të tjerë, kishte si akuzë pengesën që sipas ankuesve ligji i miratuar në 2015 kishte krijuar në kompensimin e tyre. Por sipas Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut, ky ligj kishte krijuar një mjetet ligjore që ish pronarët të marrin kompensim të plotë.

Po ashtu një tjetër ndryshim i bërë në ligj pas kërkesës së Gjykatës Evropiane është edhe kompensimi 100% në cash për vendime kompensimi që janë deri në 15 milionë lekë të vjetra.

“Është vendosur kompensim me 100% të vlerës cash për vendime me vlerë financiare deri në 1 milionë e 500 mijë lekë. Si rezultat i këtyre ndryshimeve bëhet e mundur tashmë që të përfitojnë 10085 subjekte të cilat do të kompensohen financiarisht me vlerë të plotë. Me këtë ndryshim që ne bëmë në dhjetor do të kompensohen rreth 60% e vendimeve dhe pjesa tjetër e vlerave të mëdha do tu jepet një mundësi më e mirë për të shkuar drejt kompensimeve sipas formave të kompensimit”, tha Baçi në Komisionin e Ligjeve.

(Kliko këtu ) Raporti vjetor i ATP për pronat

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?