26 gra janë diagnostikuar me kancer gjiri gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator. Një shifër kjo alarmuese, që kërkon më shumë kontroll ndaj kësaj sëmundje.
Kryesisht të prekura janë gratë e grupmoshës 44 - 64 vjeç por nuk përjashtohen edhe rastet në moshat e reja. Mjekja onkologe e spitalit të Fierit, Elona Tola shprehet se tashmë kanceri i gjirit po zbulohet dhe tek 27 vjeçaret.
"Jo vetëm grupet e riskut që janë gratë e moshave mbi 40 vjeç, vihet re se ka ulje të moshës së diagnostikimit të kancerit të gjirit duke futur edhe grupmoshat mbi 25 vjeç. Prandaj në momentin qe vajzat, gratë evidentojnë një nodus, një ndryshim kur ato bëjnë vetë-ekzaminim të gjirit nga ana e tyre, menjëherë t'i referohen mjekut specialist onkologut dhe kryerjes së ekzaminimeve sepse është ulur mosha e diagnostikimit të tij, dmth nuk është më ajo moshë 40 vjeç, por flasim për mosha 27 vjeçare të diagnostikuar me kancer gjiri, 30 vjeçare. Që në këto mosha kjo patologji është më agresive që ka shumë rëndësi në kapjen në kohë", tha mjekja
Ajo e vë theksin tek depistimi i popullatës, duke u shprehur se në spitalin e Fierit prej muajit qershor është vendosur aparatura e mamografisë, që u vjen ndihmë grave të gjithë qarkut.
"Mamografia është një aparaturë që nga muaji Qershor i 2021 është vendosur në ambientet e spitalit të Fierit dhe është e fundit e teknologjisë dhe me këtë rast i ftoj të gjitha gratë për pjesën e depistimit për të evidentuar nëpërmjet këtij ekzaminimi praninë sa më të hershme të kësaj sëmundje që është thelbi kryesor i diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit. Ftoj të gjitha gratë që janë grup risku mbi moshën 40 vjeç të kryejnë konsulta me onkologun", u shpreh Tola.
Onkologia shprehet se kryerja e ekzaminimeve dhe kontrolleve të vazhdueshme do të parandalonte avancimin e sëmundjes. Kësisoj sa më herët të kapet kanceri i gjirit aq më e mundur është për të shpëtuar jetë.