Foto ilustruese

Rritet numri i të miturve që përfshihen në vepra kriminale në Shqipëri

12 Mars 2023, 19:45| Përditesimi: 12 Mars 2023, 19:46

  • Share

Në mjediset e policisë në Shkodër është hapur zyra e intervistimit audio-vidio për të miturit që shkelin ligjin.

Psikologu Altin Nika thotë se kjo është një risi që ruan në themel mirëqenien psikologjike të të miturit dhe shmang ripyetjen nga prokuroria apo gjykata, duke përshpejtuar kështu procedurat ligjore ndaj të miturve, krimet e të cilëve po shtohen nga viti në vit.

“Këto janë zyrat e intervistimit, me sistem audio-vidio, të marrjes në pyetje të të miturve. Janë 4 të tilla në rang kombëtar dhe është hera e parë që një zyrë e tillë funksionon, pasi është detyrim ligjor në bazë të ligjit 37 të vitit 2017 të Kodit të drejtësisë penale për të miturit. Këto ambiente janë financuar nga qeveria suedeze dhe, gjithë ekipi i oficerëve të policisë gjyqësore dhe psikologëve që punojnë në këto zyra, janë të trajnuar në sistemin e drejtësisë për të mitur”, thotë ai.

Në Shqipëri 5% e krimeve në shkallë vendi kryhen nga të miturit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar janë kryer nga të miturit 1470 vepra penale me pjesëmarrjen e rreth 1600 të miturve.

Sipas psikologut Nika, me përdorimin masiv të celularëve, internetit dhe rrjeteve sociale nga të miturit, po rritet me shpejtësi edhe numri i rasteve të keqpërdorimit të llogarive të të miturve në rrjetet sociale dhe kërcënimi përmes tyre.

“Shqetësues mbeten krimet që lidhen me pronën, kryesisht vjedhjet. Herën e fundit kemi patur një ndërhyrje të prokurorisë, në bashkëpunim me drejtorinë vendore të policisë së Shkodrës, për 4 të mitur që kanë kryer në qytetin e Shkodrës 53 vjedhje të dokumentuara, por, në krahun tjetër, mbetet shqetësuese edhe pjesa e të miturve nëpër shkolla, ku shpesh herë ndodhin edhe konflikte mes të miturve, qoftë fizike, qoftë edhe elementë të tjerë të bullizimit apo keqpërdorimit të rrjeteve sociale”, thotë psikologu Nika.

Krimet e kryera nga të miturit janë një alarm jo vetëm për policinë e shtetit, por edhe familjen, shkollën dhe komunitetin.

Drejtuesi i Qendrës rinore “Arka”, Marjan Lukani, thotë se, në më të shumtën e rasteve, të miturit në konflikt me ligjin vijnë nga familje me probleme social-ekonomike.

“E para, është gjendja e arsimimit të prindërve dhe, së dyti, gjendja ekonomike e familjeve shqiptare. Së treti, është koha që prindërit kanë për edukimin e fëmijëve sepse në familjet shqiptare prindërit punojnë gjithë ditën dhe nuk u mbetet kohë për edukimin e fëmijëve. Po ashtu, kemi edhe mentalitetin që baballarët nuk merren me edukimin e fëmijëve dhe se kjo është një çështje që i takon nënës”, thotë ai.

Pjesa më e madhe e të miturve që shkelin ligjin vazhdojnë shkollën, ndaj, sipas zotit Lukani, shkolla duhet të jetë një nga barrierat për të parandaluar përfshirjen e të miturve në krime.

“Mungesa e trajnimit të stafit pedagogjik, si të ballafaqohen me këto raste në mënyrë që të bëhet parandalimi, trajtimi dhe riedukimi i të miturve”, thotë ai.

Për shkak të lehtësirave që ofron kodi i drejtësisë penale për të miturit, nga rreth 1600 të mitur në konflikt me ligjin, vetëm 50 prej tyre janë arrestuar. Qindra të tjerë janë hetuar në gjendje të lirë, duke shtuar rrezikun e rikthimit në përsëritës të veprave penale si dhe objekt shfrytëzimi nga grupet kriminale./VOA

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?