Rritet numri i thirrjeve te 127, Urgjenca Kombëtar: Mbi 11 mijë telefonata në një javë! Ruani distancimin social

15 Qershor 2020, 18:18| Përditesimi: 15 Qershor 2020, 18:22

  • Share

Rritja e rasteve me koronavirus në vendin tonë ka bërë që të rriten edhe telefonatat drejt numrit 127.  Sipas Urgjencës javën e kaluar janë regjistruar rreth 11 mijë e 2 qind thirrje, rreth 2500 thirrje më shumë nga java e kaluar. Po ashtu gjatë kësaj jave janë dyfishuar rastet e referuara për tampon tek epidemiologët.

"Nisur nga situata e krijuar dhe numri në rritje i të infektuarve me COVID-19, pranë Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore është rritur edhe numri i thirrjeve drejt numrit unik 127. Gjatë javës që lamë pas drejt numrit 127, janë regjistruar rreth 11 mijë e 2 qind thirrje, rreth 2500 thirrje më shumë nga java e kaluar. Po ashtu gjatë kësaj jave janë rritur rastet e referuara për tampon tek epidemiologët. Duke pasur parasysh rastet e reja të konfirmuara me COVID-19, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, ju këshillon të tregoheni të kujdesshëm, të ruani distancën dhe të ndiqni me përpikmëri protokollet e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale", thuhet në reagimin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Urgjenca i bën thirrje qytetarëve që të ruajnë distancimin fizik dhe të mbajnë maska dhe doreza

"Ruani distancimin fizik mbi 1.5 metër. Kur nuk arrihet distancimi fizik përdorimi i maskës është i domosdoshëm. Ruani etiketën respiratore. Kur kolliteni apo tështini përdorni shami letre ose këndin e bërrylit. Masat e higjienës personale duhet të kombinohen me larjen sa më të shpeshtë të duarve për më shumë se 20 sekonda. Evitoni ambientet e mbyllura dhe grumbullimet me shumë njerëz dhe kujdesuni për të moshuarit. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127", thuhet në reagim.

Numri i personave të prekur me koronavirus po merr përmasa alarmanete, ku vetëm ditën e sotme janë  konfirmuar pozitiv me COVID-19, 69 persona. Në spitalin infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?