Rritet paga mesatare në 3-mujorin e tretë të 2022! INSTAT: 9.3% më e lartë se 2021

13 Dhjetor 2022, 11:07| Përditesimi: 13 Dhjetor 2022, 14:19

  • Share

Me rritjen e pagës mesatare bruto, sektori i bujqësisë edhe pse me nivelin e pagës nën rangun kombëtar, ka njohur rritjen më të madhe. Institucionet financiare kanë pagat më të larta, gati dyfish mbi pagën mesatare bruto.

Paga mesatare për të punësuarit është rritur në nivelin 61 613 lekë në tre mujorin Korrik-Shtator, ose 9.2% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021, kur kjo pagë rezulton të ishte 56 683 lekë. Ndërkohë po të krahasohet me tre mujorin e dytë, rritja e pagës mesatare bruto është 947 lekë.

Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT, bujqësia e peshkimi edhe pse kanë nivelin më të lartë të rritjes së pagës mesatare bruto, me gati 5 mijë lekë sërish niveli i tyre është nën nivelin e pagës mesatare  në rang kombëtar.

Më të mirë paguarit vijojnë të jenë të punësuarit në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ku paga e tyre mesatare është gati dyfish më e lartë se ajo mesatare në rang vendi. Një i punësuar në këtë sektor ka një pagë mesatare prej 119.1 mijë lekë, duke u rritur me gati 10.5 mijë lekë kundrejt një viti më parë.

Kështu, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 93,4 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkimi është 33,1 % më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare bruto për aktivitetin e Bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, ka rritjen më të madhe prej 15,7 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grupaktiviteti i Administratës publike dhe mbrojtjës; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 5 %.  Gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e Manaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 62,7 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 36 % më e ulët. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto në Forcat e Armatosura ka rritjen më të madhe prej 18,5 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-profesioni i Manaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë 4,5 %.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?