Rritet përhapja e Covid19 në Evropë, frikë për një izolim të dytë

6 Gusht 2020, 13:46| Përditesimi: 6 Gusht 2020, 16:14

  • Share

Teksa Spanja, Franca dhe Greqia përjetojnë një rritje të theksuar të numrit të të infektuarve nga Covid19, janë shtuar shqetësimet për një valë të dytë të përhapjes së koronavirusit në mbarë Europën. Ndërsa vetë qeveritë i tremben një izolimi të dytë që do të ishte fatale për ekonominë.

Një valë e dytë e Covid19 është ajo që të gjithë qeveritë i frikësohen dhe po mundohen me çdo kusht ta shmangin, të bindur se një izolim i dytë do të ishte fatal për të gjithë. Në një kohë ku shumica e shteteve kanë hequr masat kufizuese Franca, Spanja dhe Greqia janë tre vendet evropiane që shënuan rritje të dukshme në 24 orët e fundit, duke nxitur frikën e një valë të dytë infeksionesh.

Në Francë u regjistruan 1.695 raste të reja brenda 24 orëve, shifra më e lartë ditore në më shumë se dy muaj, duke bërë që numri i të infektuarve në total të arrijë në 228.576. Shqetësuese paraqitet situata edhe në Spanjë, ku brenda 24 orëve të fundit u regjistruan 1,772 infeksione të reja duke e çuar numrin e të infektuarve në 305.767. Ndërkohë në Greqi, në 24 orët e fundit u zbuluan 124 raste shtesë, duke e çuar  numrin e tyre në 4,973.

Rastet e koronavirusit kanë ardhur duke u rritur pasi vendet filluan të lehtësojnë kufizimet, që shkaktuan një krizë të thellë ekonomike në mbarë globin. Ndërsa qeveritë përpiqen të lehtësojnë dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia, masat për të ruajtur distancimin shoqëror po bëhen përditë e më të vështira për t'u zbatuar./ Përgatiti Suada Mehmetaj

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?