Opinion
Periferi

Rritja e çmimit të bukës dhe jo vetëm, përfitim nga zemërgjerësia e shqiptarëve!

13 Shtator 2021, 16:23| Përditesimi: 13 Shtator 2021, 19:48

  • Share

Mediat europiane, qytetarët e vendeve të ndryshme të Europës, janë përherë të vëmendshëm ndaj rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore jetësore. Nëse një produkt pëson rritje qoftë dhe me pak cent, gazetarë, shoqata konsumatorësh, njerëz të thjeshtë bëhen bashkë,  fillimisht për të kuptuar, e më pas për të protestuar nëse ka ndonjë abuzim. Në mbarë Europën e pasur ka një ndjeshmëri të lartë nëse çmimet rriten, pasi shpesh, pas rritjes së çmimeve mund të fshihen dinakë, abuzues, përfitues që abuzojnë në emër të rritjeve globale.

Buka, një nga produktet bazike të ushqimit në Shqipëri ka pësuar rritje dhe paralajmërohen rritje të mëtejshme. Nuk është produkti i parë që këtë fillim vjeshte vë në alarm shoqërinë. Që në fillim të kësaj vere disa supermarkete në qendër të Tiranës shënojnë rritje të çmimeve të produkteve të konsumit të gjërë, ato që përbëjnë shportën bazike të ushqimit të familjeve, sikur të ishin dyqane bizhuterish të shtrenjta. Nëpër këto supermarkete, ku brenda sheh me shportat plot ndonjë ministër a ish-ministër a familjarët e tyre, apo ndonjë tjetër titullar nomenklature a ish-nomenklature, shumica mjaftohet të blejë ndonjë ujë, paketë cigaresh (pasi i qëllon të punojë aty rreth e rrotull), duke reduktuar në maksimum furnizimin në supermarkete që do të duhet të ishin furnizuesit kryesorë të nevojave të qytetarëve. Ka një rritje globale të produkteve apo dinakë të tregjeve tona përfitojnë? Eshtë fakt e para, por e dyta është ajo që në Shqipëri po shndërrohet në një “sport” të vjetër tashmë nga i cili nuk shqetësohet njeri. Duket se disa politikëbërës janë të bindur dhe të qetë se shqiptarët nuk shqetësohen shumë për rritjen e çmimeve. Disa politikëbërës mendojnë se “shqiptarët mbajnë”, duke ngatërruar shqiptarët e thjeshtë e që jetojnë me punë dhe të ardhura të ndershme, me ata, shqiptarët me llogaritë e fryra nga të ardhurat e korrupsionit apo trafiqeve, të cilët, as nuk i vërejnë çmimet dhe as nuk e vrasin mendjen nëse buka, makaronat, vaji, djathi, gjalpi, sheqeri, mielli, frutat dhe perimet, pësojnë rritje aq sa janë më të shtrenjta krahasuar edhe me çmimet e të njëjtave produkte në vendet e Bashkimit Europian. Një pako makarona në disa supermarkete të Tiranës një shqiptar e blen më shtrenjtë se në supermarkete të Italisë psh. apo vendeve të tjera të BE-së.

Nëse shqiptarët nuk janë mjaftueshëm të ndjeshëm, të zhurmshëm, të indinjuar e protestues si europianët nëse çmimet e tyre do të ishin dhimshëm të papërballueshme, është thjeshtë sepse ne kemi një kufi më të lartë të dhimbjes në këtë pikë, krahasuar me vende të tjera. Eshtë si ata të sëmurët që dhimbjet nuk i durojnë njësoj, por vjen një pikë kur edhe më i durueshmi dorëzohet. Për ushqimet, duke qenë se për vite e vite jemi privuar, para se të bërtasim për mungesën apo shtrenjtësimin e tyre, thjeshtë ne durojmë më shumë. Nga kjo zemërgjerësi e veçori shqiptare shumë përfitojnë dhe, nëse nuk vërehet se kufiri po tejkalohet muaj pas muaji rrezikshëm, nëse nuk vihet re se dyqanet në Tiranë frekuentohen nga vetëm ata që munden, rritja e pakontrolluar e çmimeve të ushqimeve, mund të shndërrohet tepër therëse për këdo.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?