Rritja e çmimeve, Denaj në ‘5 pyetjet’: Zero hapësirë për të ndërhyrë në paketë fiskale! Ulja e taksave do ta bënte të pamundur për qeverinë të ishte pranë shtresave vulnerabël

28 Mars 2022, 22:42| Përditesimi: 29 Mars 2022, 07:27

  • Share

TIRANË- Ish ministrja e Financave Anila Denaj, ka folur në Report Tv për rritjen e çmimeve dhe masat që qeveria ka marrë për të mbështetur shtresat më vulnerabël. Në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’, Denaj tha se hapësira për të ndërhyrë në paketën fiskale është pothuajse zero. Ajo thekson se kjo ndërhyrje do të sillte uljen e buxhetit të shtetit dhe për rrjedhojë do të ishte pothuajse e pamundur që qeveria të hartonte masa mbështetëse për qytetarët për të përballuar rritjen e çmimeve.

Denaj thotë se në këtë periudhë krize biznesi i vogël vijon të mbështetet, duke mos paguar Tatim mbi fitimin dhe TVSH-në. Sipas saj, kjo është një lehtësi fiskale për biznesin e vogël që është ndërmarrë që prej vitit 2020. Deputetja socialiste tha se në Komisionin e Ekonomisë po rishikohet akti normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit, që të enjtet pritet t’i kalohet parlamentit për miratim.

Denaj tha se do të vihen 20 miliardë lekë në dispozicion të përballimit të krizës së energjisë dhe 6 miliardë lekë do të përdoren për Paketën e Rezistencës Sociale, ku po ashtu përfshihet rritja e pensioneve.

“Rama ka qenë shumë i qartë në aspektin e ndërhyrjes fiskale që do jetë i munguar. Kam dalë dhe më herët në parlament dhe në gjykimin e financierëve që e njohin fushën fiskale dhe mënyrën sesi regjimi fiskal ka ndryshuar në Shqipëri hapësira për ndërhyrje është gati zero. Vullneti për të ndërhyrë si një rrjedhojë e një mbështetje të menjëhershme për biznesin e vogël ka qenë dhe është shprehur më parë. Nuk mund të ndërhyhet në mënyrë të vazhdueshme se të ardhurat e buxhetit të shtetit nuk mund të cenohen në mënyrë të vazhdueshme. Biznesi i vogël sot paguan zero taksë për tatim fitimin dhe për qarkullimin me TVSH zero, konsiderohet një lehtësi fiskale. Kemi bërë lehtësi fiskale të konsiderueshme në vitin 2020.

Të jepet një ndihmë sociale të duhet të ardhura, nëse heq të ardhurat nga buxheti çfarë ndihme do japësh. Kemi aktin normativ që besoj të enjten do e kalojmë në parlament. Është Bord Transparence dhe nuk janë vetëm përfaqësues shteti. 20 mld është vetëm për energjinë, 6 mld për shtresat në nevojë 500 mln lekë të reja për bujqësinë, pakta fiskale për të ardhurat e individëve që nis në prill, ishte parashikuar në korrik, rritja e pagës minimale, ulja e barrës fiskale për të gjitha pagat”, tha Denaj në Report Tv.

Ish-ministrja tha se bonusi 3 mijë lekë është vënë në dispozicion të shtresave vulnerabël në bazë të rritjes së çmimit që kanë pësuar produktet e shportës. Bazuar në shifrat e INSTAT, Denaj tha se produktet e shportës janë rritur me 2 mijë e 500 lekë.

“Shembullin e vleftës së bonusit 3 mijë lekë. Produktet e shportës janë indeksua me atë që INSTAT ka llogaritur në 7%. Kjo shportë ka një rritje më 2 mijë e 500 lekë. Dhënia e 3 mijë lekëshit për personat vulnerabel, indeksimi është në atë nivel për produktet e shportës”, u shpreh Denaj.

Qeveria ka prezantuar një Paketë të Rezistencës Sociale të përbërë prej 7 pikash, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në një kohë kur lufta në Ukrainë ka sjellë pasojat e para duke u reflektuan në rritjen e çmimeve të karburanteve, por edhe të produkteve të shportës.

Paketa e Rezistencës Sociale
1.    36 milionë $ për indeksimin e pensioneve (637,542 përfitues)
2.    Kompensim i rritjes së çmimeve të shportës për 3 muaj (434 mijë  përfitues)
3.    14 milionë $ mbështetje për fermerët me naftë pa taksa (+ 5 milionë $)
4.    5 milionë $ mbështetje për të gjithë qytetarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetëse
5.    Nga muaji prill:
-    Zero taksë për pagat deri në 40 mijë
-    Përgjysmim takse mbi pagat deri në 50 mijë lekë
-    Ulje e taksës mbi pagat nga 150 deri në 200 mijë lekë
6.    Paga minimale rritet në 32 mijë lekë
7.    200 milionë $ financim i mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?