Programacion

E Diel
16
Janar
E Hënë
17
Janar
E Martë
18
Janar
E Mërkurë
19
Janar
E Enjte
20
Janar
E Premte
21
Janar
E Shtunë
22
Janar
E Diel
23
Janar
E Hënë
24
Janar
E Martë
25
Janar

Foto ilustruese

Bota

Rritja e çmimeve dhe inflacioni në Hungari

29 Nëntor 2021, 20:45| Përditesimi: 29 Nëntor 2021, 20:51

Nga dyqanet e pajisjeve shtëpiake në Shtetet e Bashkuara tek tregjet ushqimore në Hungari, rritja e çmimeve të konsumit, shkaktuar nga kostot e larta të energjisë dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit po rëndon familjet dhe bizneset në mbarë botën. Rritja e inflacionit po çon në rritje të çmimeve të ushqimeve, karburantit dhe produkteve të tjera, duke i detyruar shumë vetë të prekin kursimet për përballimin e shpenzimeve.

Gati dy vjet pas fillimit të pandemisë COVID-19, ndikimi ekonomik i krizës ende ndihet edhe pasi vendet hoqën kufizimet e lëvizjeve dhe kërkesa nga konsumatorët u rrit. Ndërkohë, një rritje e re e infeksioneve po çon në kufizime të reja në Evropë dhe pjesë të tjera të botës.

Pasojat e kësaj krize po godasin veçanërisht Evropën qendrore dhe lindore, ku vendet kanë disa nga normat më të larta të inflacionit në 27 vendet e Bashkimit Evropian dhe njerëzit po përballen me vështirësi për të blerë ushqime apo për të mbushur makinat e tyre me karburant.

"Gjithçka është bërë më e shtrenjtë," thotë Judit Nagy teksa blen furnizime në një treg të hapur ushqimor në kryeqytetin hungarez, Budapest.

Ildiko Vardos Serfozo, thotë se ajo ka parë një rënie në biznes ndërsa klientët shkojnë drejt dyqaneve ushqimorë më të mëdha që mund të ofrojnë zbritje.

"Ne duhet të kemi një diferencë të mjaftueshme në çmime për të nxjerrë fitim. Megjithatë blerësit janë të ndjeshëm ndaj çmimeve dhe për këtë arsye shpesh na largohen, edhe nëse produktet tona janë më cilësore. Ne vërejmë se inflacioni po na godet. Nuk është me situatë e mirë për bizneset e vogla”.

Rritja e fundit e inflacionit ka kapur në befasi drejtuesit e biznesit dhe ekonomistët në mbarë botën.

Në pranverën e vitit 2020, koronavirusi shkatërroi ekonominë globale: qeveritë urdhëruan bllokime, bizneset u mbyllën ose shkurtuan oraret dhe familjet qëndruan në shtëpi. Kompanitë u përgatitën për më të keqen, duke anuluar porositë dhe duke ndërprerë investimet.

Në një përpjekje për të shmangur katastrofën ekonomike, vendet e pasura - veçanërisht Shtetet e Bashkuara – miratuan paketa ndihmash në vlerë prej triliona dollarësh, në një mobilizim ekonomik të një shkalle të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Bankat qendrore ulën gjithashtu normat e interesit në një përpjekje për të ringjallur aktivitetin ekonomik. Por këto përpjekje kanë pasur pasoja të padëshiruara.

Ndërsa konsumatorët u ndjenë më të guximshëm për të shpenzuar paratë që morën nëpërmjet ndihmës së qeverisë apo huamarrjes me interesa të ulta, dhe fillimi i vaksinimit i inkurajoi njerëzit të ktheheshin në restorante, bare dhe dyqane, rritja e kërkesës shkaktoi presion tek furnizimet.

Rritja e çmimeve ka qenë dramatike.

Inflacioni në Shtetet e Bashkuara u rrit në 6.2% në tetor, më i larti që nga viti 1990 dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që çmimet e konsumit botëror do të rriten me 4.3% këtë vit, rritja më e madhe që nga viti 2011.

Problemi është më i theksuar në ekonomitë në zhvillim të Evropës Qendrore dhe Lindore, me normat më të larta vjetore të regjistruara në Lituani (8.2%), Estoni (6.8%) dhe Hungari (6.6%).

Ndërsa çmimet për produktet kryesore ushqimore rriten, situata ka të ngjarë të përkeqësohet në vitin e ri, kur çmimet e energjisë do të rriten.

Dobësimi i monedhave në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore kundrejt dollarit amerikan dhe euros po rrit çmimin e importeve dhe atë të karburantit.

Monedha hungareze, forinta, ka humbur rreth 16% të vlerës së saj kundrejt dollarit në gjashtë muajt e fundit dhe ka rënë në nivelin më të ulët historik kundrejt euros javën e kaluar.

Në përgjigje të çmimeve rekord të karburantit, të cilat arritën kulmin këtë muaj në 1,59 dollarë për një litër benzinë dhe 1,61 dollarë për një litër naftë, qeveria e Hungarisë njoftoi një kufizim të çmimit prej 1,50 dollarësh në pikat e karburantit.

"Vite më parë një fuçi naftë ishte 140 dollarë, më pas ishte 120 dollarë, tani është vetëm 80 dollarë - megjithatë çmimet hungareze të karburantit janë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Ato janë 1.53 dollarë amerikanë për litër ose më lart për shkak të dobësimit të monedhës. Familjet ndjejnë se diçka po shkon keq - dhe ne kemi zgjedhje majin e ardhshëm", thotë Zsolt Balassim me kompaninë Hold Asset Management.

Natyra politike e disa vendimeve ekonomike nuk kufizohet vetëm në Hungari.

Banka qendrore e Polonisë, që është duke u përballur gjithashtu me një monedhë në rënie, është akuzuar nga kritikët se ka lejuar që inflacioni të rritet shumë për një kohë të gjatë për të inkurajuar rritjen ekonomike dhe për të forcuar mbështetjen për partinë në pushtet./VOA/

M.Ç/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Katër vrasjet në bulevard, a është bërë drejtësi për 21 janarin?