Rritja e çmimeve dhe turizmi, debati në Report Tv! Kreu i shoqatës së Bareve: Konsumi ka rënë 20%, priten çmime më të larta! Eksperti Ozuni: Do të preket turizmi

11 Prill 2022, 16:19| Përditesimi: 11 Prill 2022, 16:25

  • Share

Rritja e çmimeve të ushqimeve ka shkaktuar një rritje edhe të çmimeve në bare dhe restorante. Kjo pritet të sjellë probleme dhe ulje edhe më tej të konsumit, çka do të ndikojë edhe në sezonin turistik që fillon së shpejti.

Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj në një lidhje me ‘Sot live në Shqipëri’ në Report Tv tha se tha se po pritet një rritje e çmimit të kafes në bare dhe restorante, ndërkohë që ky ndryshim do të fillojë të ndjehet gradualisht.

Jaha tha se do të jenë bizneset në zonat periferike ato që do të kenë përballjen më të vështirë me rritjen e çmimit, ndërkohë që nënvizoi se ka një rënie 20% të konsumit.

“Situata është mjaft kritike, kemi pasur një komunikim që në dhjetor, një komunikim nga furnitorët mbi rritjen e çmimit të kafes edhe pse  çmimi i saj ka 20 vite që nuk është rritur. Unë besoj se çmimi do fillojë të rritet. Rritja nuk do të fillojë nga qendra, por nga pjesët periferike  që nuk do munden ta suportojnë dot rritjen e çmimit,  të cilët kanë qenë në minimumin e tyre të kostove të biznesit”, tha Jaha gjatë intervistës së  tij për gazetarin Andi Kapxhiu.

I ftuar në studio ishte dhe eksperti i turizmit Feriolt Ozuni i cili foli për Report Tv rreth situatës aktuale të industrisë së turizmit në vend.

“Perceptimi aktual ekonomik përfshin dhe turizmin, kjo luhatje prek dhe industrinë e turizmit. Që prej 2017 e në vazhdim, turistët i shikonim 12 muaj të vitit, dhe nga janari i këtij viti deri në prill aktualisht perceptimi është se turist ka, por jo ato pritshmëri  që ne kemi pasur. Nuk mund të krahasohemi akoma me vitin 2019, pandemia, pasiguria mjekësore me të cilën u përball i gjithë Ballkani ndikuan në sektorin e turizmit. Megjithëse vitin e kaluar patëm një numër të lartë turistësh, madje më shumë se në vitin 2019”, tha ai.

Ozuni u shpreh se mund të ekzistojë një rënie e numrit të turistëve për shkak të luftës që pasoi në mbylljen  e dy tregjeve të rëndësishëm, atë të Ukrainës dhe atë të Rusisë madje që ka prekur dhe vendet përreth. Edhe pse nuk ka shifra zyrtare rënia e pritshme mendohet të jetë në 20%.

“Ekziston një rënie, pasi në këtë periudhë numrin më të lartë të turistëve e kishim pikërisht nga zonat që gjenden në luftë ose përreth saj si për shembull : Polonia , Rumania, Ukraina. Gjithë situata e tanishme në Ukrainë e ka bërë turistin e thjeshtë të stepet, nuk ka ende shifra zyrtare por perceptimi është një rënie prej 20%” , tha ai.

Megjithëse mund të pritet një rënie e numrit të turistëve eksperti shprehet pozitiv pasi në mbështetje të situatës po shikohen mundësitë e eksplorimit të tregjeve të reja si një zgjidhje e ngërçit të krijuar nga lufta.

“Jemi duke parë tregje të tjera të rajonit që i kemi neglizhuar qoftë nga vetë ne ose dhe nga vetë ata, është duke u shqyrtuar tregu rumun. Pak më parë kam qenë në një takim 2 orësh me Zyrën e Promovimit të Tregtisë dhe Ekonomisë që është një zyrë e re, ku po shohim se çfarë mund të bëjmë në të gjitha sektorët e ekonomisë dhe specifikisht në sektorin e turizmit, po diskutohet me ambasadorin rus dhe përfaqësuesen e zyrës për ndërtimin e një strategjie afatshkurtër dhe afatgjatë” ,tha ai.

I pyetur në lidhje me situatën e prenotimeve, eksperti thotë se të dhënat janë të mira megjithëse është tepër e rëndësishme të mbahen në kontroll çmimet e shërbimeve.

“Ka prenotime që nga viti i kaluar që tregon një pjekuri të tregut, prenotimet e mëparshme i kemi në një vlerë 30% - 35 % të totalit të rezervimeve. Në qoftë se ne mbajmë këto ritme do të arrijmë shifrat e 2019 vetëm me kushtin nëse mbajmë nën kontroll çmimet në bare dhe restorante”

Eksperti Duzuni shprehet optimist për të ardhmen e turizmi pasi Shqipëria po bëhet një treg interesant dhe atraktiv për të huajt për shkak të pranisë së shumë zonave turistik të virgjëra.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?