Vendimi i qeverisë për të rritur çmimet e referencave për banesat në të gjithë Shqipërinë, do ta bëjë të vështirë blerjen e banesave nga qyterarët, sidomos në zonat bregdetare ku çmimi është rritur deri në 4-fish.
Kështu mendon eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, i cili nga studio e “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv me Nertil Agalliun, thotë se blerja e shtëpive në plazh do të konsiderohet luks.
“Shtëpinë në plazh tani ta shikosh në ëndërr, shtëpia në plazh do konsiderohet luks i madh. Po edhe në qendër të Durrësit do shkojë mbi 65 mijë Euro”, tha eksperti duke marrë në analizë blerjen e një banesë rreth 60 metra katrorë.
Për familjet e reja apo çiftet që synojnë të blejnë banesë me kredi, do të jetë edhe më e vështirë për shkak të politikave të reja bankare.
“Nëse do duhet të marri një çift i ri një shtëpi në Durrës, do duhet që 15% të kapitalit t’i kenë, e dyta do duhet që pjesën tjetër të kredisë ta kenë jo më shmë se 35% të pagës të të ardhurave, pra këstin duhet ta kenë 200-250 mijë Lekë në muaj nëse marrin një pagë mbi 1 milion lekë. Është praktikisht e pamundur”.
Rritja e çmimit të referencave, sipas ekspertit, është lajm i mirë për ata që posedojnë një pronë dhe duan të shesin, por nga ana tjetër do të jetë e vështirë për blerësit.
“Problemi madh këtu janë blerësit, ata dëmtohen. Vërtetë shitësi përfiton nga ulja e taksës, por blerësi dëmtohet nga referenca e lartë. Është i detyruar ta blejë me atë çmim”.
Sefa shikon edhe një aspekt pozitiv të rritjes së çmimeve të referencës për pronat.
“Ka dhe një efekt tjetër pozitiv, që e ngushton lakun e parave informale. Sepse tashmë duhet ta deklarosh në minumin me 1 mijë Euro në Durrës, për shembull. Atë që deklaron me çmim reference te noteri, duhet ta kalosh në bankë, dhe duhet t’i justifikosh ku i ke gjetur këto para. E ngushton shumë pjesën e informalitetit, ose e përqëndron në pak duar. Problemi është për konsumatorin që duan të blejnë pronë, e bën goxha të vështirë këtë pjesë. Për ata që do blejnë nuk jam entuziast, ata që do shesin u jepet një mundësi e mirë”.
Por a pritet të ketë një ulje të çmimeve të banesave? Eksperti Sefa thotë po, megjithatë thekson se mund të jetë deri në masën 10%.
“Jemi në fazën që kurba e rritjes është e sheshtë dhe ajo që vjen pas të sheshtës është rënie. Çështja është sa do jetë? 5%? 10%? Edhe rritja e çmimeve të referencës e bën që të kesh ulje, por 5-10%. Ne po rrisim dyshemenë”.
Me çmimet e reja të referencës që ka hartuar Ministria e Financave, çmimet e pronave do të rriten deri në 400%.
Komente
