Rritja e çmimeve, Veliaj: Abone falas dhe subvencion 50% të tarifës së konvikteve për studentët

19 Tetor 2022, 18:14| Përditesimi: 19 Tetor 2022, 18:42

  • Share

 

Nisur nga pasojat ekonomike, që po ndihen edhe në vendin tonë, si pasojë e luftës në Ukrainë, Bashkia e Tiranës do të subvencionojë 50% të kostos së konvikteve, si dhe do të japë abone falas për të gjithë studentët. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot këto dy vendime të rëndësishme, që lehtësojnë jo pak të rinjtë që studiojnë në kryeqytet, në këto kohë të vështira ekonomike, me të cilat po përballet gjithë bota.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se kompensimi i biletës së pajtimit mujor të përgjithshëm për studentët do të vlejë për të gjitha linjat e transportit qytetës në Bashkinë e Tiranës për periudhën tetor 2022 – qershor 2023. Ndërkaq, pajisja e studentëve me abone studenti, do të bëhet falas nëpërmjet sistemeve elektronike të Kartës së Studentit.

“Për të gjithë studentët që kanë Kartë Studenti, mjafton paraqitja e kartës së studentit në pikat ku japim abonetë falas. Ne duam që ata ta marrin fizikisht abonenë me kartën e studentit, që kompanitë e transportit të mos i bien me top sepse nuk janë lekët tona, ndaj duhet t’i japim me transparence, që të sigurohemi që çdo student që e përdor abonenë të subvencionohet duke ia çuar ne pagesën kompanisë dhe jo student. Do kërkojmë që studentët ta marrin kartën e studentit, e cila jepet falas, në të gjitha fakultetet tona, pastaj me kartën e studentit të marrin abonenë. Ne numërojmë të gjitha abonetë e dhëna dhe në fund të çdo muaji, bashkia do të bëjë rimbursimet tek kompanitë, që studentët ta kenë transportin falas”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku informoi gjithashtu, se studentët do të lehtësohen nga tarifa e konviktit, gjysmën e të cilës do e paguajë bashkia.

“Të njëjtën gjë po bëjmë edhe për koston e konvikteve. Duam ta subvencionojmë 50%. Një rrugë më pak ose një investim më pak, të cilin mund ta bëjmë edhe vitin tjetër, kur të mbarojë kjo luftë e mallkuar dhe ky inflacion i mallkuar, që s’e kemi ne në dorë, por ama studentët i mbrojmë sot me transport falas dhe konvikte me 50% të kostos”, nënvizoi ai.


Lajmi kryesor:

Veliaj: Nis puna për kampusin te ‘Qytet Studenti’! Qira falas për një vit për 52 familje në nevojë në Tiranë! Abone falas për studentët dhe subvencionim për konviktet


SI.E.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?