Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina deklaroi sot se Shqipëria ka aktualisht çmimin më të lartë të naftës në rajon, ndërsa shtoi se qytetarët shqiptarë paguajnë 7 taksa për çdo litër karburant, nivel rekord krahasuar me vende të tjera në botë.
Në një deklaratë për mediet, Karabina u shpreh se një pjesë e këtyre taksave shkon në arkën e shtetit dhe dy prej tyre për kompanitë koncensionare.
“Rritja e çmimit të naftës në tregun shqiptar është vjedhje e pastër në xhepat e qytetarëve, për sa kohë që vendet e tjera e kanë më lirë se ne dhe ulja e çmimit në bursë nuk reflektohet në ndryshimin e çmimit te ne. Ne jemi në mesin e 25 vendeve me çmimin e naftës më të shtrenjtë në botë edhe pse jemi prodhues, të tri vendeve me çmimin e naftës më të shtrenjtë në Europë dhe me çmimin e naftës më të shtrenjtë në rajon”, theksoi ajo.
Sipas Karabinës, qeveria e ka në dorë uljen e çmimit të karburanteve duke ulur apo hequr përkohësisht taksa të caktuara, taksa të cilat po vështirësojnë çdo ditë jetesën e shqiptarëve.
“Sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët paguajnë shumë më tepër taksa për një litër naftë krahasuar dhe me vendet e rajonit. Ulja e çmimit të karburantit do të ishte një lehtësim për vështirësinë që po kalojnë familjet shqiptare dhe që po i detyron të largohen nga vendi.
Mungesa e politikave të përshtatshme dhe mbështetjes me fonde buxhetore ka sjellë varfërinë e qytetarëve”, theksoi ajo.
Karabina i kërkoi institucioneve përkatëse të reagojnë dhe të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar rritjen abuzive të çmimit të karburanteve.
keta kane rrjedhur te gjithe si parti
PërgjigjuKeto skane pune tjeter te opozites,vec mashtrime thone
Përgjigju