Ashpërsimi i gjobave tek shkelësit e Kodit Rrugor, e sidomos tek drejtuesit e mjeteve, për ekspertin e sigurisë rrugore Artur Sulçen, nuk ndikon në uljen e numrit të aksidenteve. Në një intervistë për Report Tv, Sulçe shprehet se rritja e masës së gjobës po bëhet për të mbushur buxhetin.
“Këta po punojnë për të zvogëluar numrin e aksidenteve rrugore, por nuk është se kjo ndikon në ndonjë gjë të madhe për arsye se ne kemi ndryshuar edhe Kodin Penal. Nëse një drejtues mjeti është mbi 0.5% së sasisë së alkoolit, ai ka ndjekje penale dhe prap ne vazhdojmë të kemi aksidente rrugore. Në këtë këndvështrim mendoj se kjo është më shumë për të mbushur buxhetin, meqenëse ne i kemi xhepat pak të grisur dhe e kemi të vështrirë për të investuar në punët publike në vendin tonë” tha ai.
Sipas tij, një nga shkaqet e aksidenteve është menaxhimi jo i mirë i trafikut. “Një ndër elementeve kryesore është që menazhimi i trafikut në vendin tonë lë shumë për të dëshiruar. Pra ne kemi rrugë që nëse do të menaxhohej trafiku në rregull, atëherë nuk do vinin aksidentet rrugore. Në Tiranë Qafë-Kashar, vetë shteti shqiptar, vetë institucionet shtetërore kanë vendosur qoftë pemët, qoftë sferat prej betonit të jashtëligjshme, jashtë kundër të çdo lloj rregulli të sigurisë rrugore”.
Sulçe shprehet se para se të merren masat e të ashpërsohet gjoba ndaj shoferëve, fillimisht duhen gjetur shkaqet e aksidenteve, ku në jo pak raste shkaktar ka qenë edhe sinjalistika rrugore.