'Rritja e kultivimit të drogës si parathënie e asaj që pritet të ndodhë', Luan Rama: Qeveria qëllimisht nuk ndërhyn

14 Maj 2020, 14:07| Përditesimi: 14 Maj 2020, 14:09

  • Share

Luan Rama, ish-deputet i LSI-së, me anë të një reagimi në rrjetet sociale pretendon se kultivimi i kanabisit këtë sezon është rritur në krahasim me 2018. Sipas Ramës qeveria duhet të ishte vënë në lëvizje pas deklaratës së prokurorit të përgjithshëm, por kjo nuk ka ndodhur. Sipas Ramës kjo është e qëllimshme, pasi sipas tij qeveria bashkëjeton me kultivimin e paligjshëm të narkotikëve dhe trafikimin e saj, duke e bërë Shqipërinë portën kryesore tē kësaj veprimtarie kriminale.

"Pas deklarimit zyrtar të Prokurorit të Përgjithshëm:

RRITJA E PRODHIMIT TË DROGËS,

SI PARATHËNIE E ASAJ QË PRITET TË NDODHË ...

Përkundër asaj se çfarë trumbeton me përdhunë makina e propagandës së qeverisë dhe nën avujt e idesë së Kryeministrit Edi Rama për të ligjëruar kultivimin e kanabisit, kinse për arsye mjekësore, na shfaqet Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, i cili mu në komisionin e ligjeve të Kuvendit, deklaroi se ka një rritje të dukshme të sasisë së kultivimit të kësaj droge në disa qarqe të vendit, krahasuar me vitin 2018.

E duke e qartësuar më tej informimin e vet, Prokurori i Përgjithshëm evidentoi gjithashtu edhe mungesën e bashkëpunimit mes prokurorisë dhe Policinë e Shtetit, ç’ka në fakt na jep mundësinë të kuptojmë edhe një prej arsyeve se përse pandëshkueshmëria vazhdon të jetë problemi i madh i institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri.

Në rrethana të tjera, pra në kushtet e përgjegjshmërisë në përmbushjen e detyrës dhe me seriozitetin e reagimit që do të duhej të shfaqte qeveria pas deklarimit të Prokurorit të Përgjithshëm, do të ishte dhënë alarmi e menjëherë do të ishte mbledhur të paktën Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës, i cili drejtohet nga Kryeministri.

Në atë komitet ku anëtar është edhe Prokurori i Përgjithshëm, edhe Ministri i Brendshëm, edhe Drejtori i Shërbimit Informativ, edhe Drejtori i Policisë së Shtetit e shumë pjesëtarë të tjerë të qeverisë, do të duhej të analizohej në detaje situata kriminale e kultivimit të drogës; cilat janë shkaqet që kanë çuar në rritjen e sasisë së kanabisit në vitin e fundit, çfarë ka ndodhur dhe përse është zbehur forca zbuluese dhe ndëshkuese e kësaj veprimtarie, ku çalojnë në rastin më të mirë institucionet që kanë përgjegjësi për të mos lejuar kultivimin e drogës, e në rastin më të keq, mosveprimi është i qëllimtë, është ortakëri apo bashkërendim dhe bashkëveprim kriminal, siç për fat të keq ka ndodhur edhe më parë?!

E për më shumë se kaq, ky komitet dhe Kryeministri që e drejton atë dhe që është përgjegjës për veprimtarinë e tij, do të duhet të përcaktojë masat që duhet të merren dhe detyrat që duhet të përmbushë çdo institucion.

Mirëpo mjerisht, jo vetëm Kryeministri nuk reagoi, por gjithçka u kalua në heshtje, dëshmi e një mosveprimi të kahershëm të qeverisë, kur është fjala për luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe ndëshkimin ligjor të grupeve kriminale që e ushtrojnë këtë veprimtari.

Pa dashur të akuzoj drejtpërdrejt qeverinë e më drejtpërdrejt akoma Kryeministrin, pasi mosveprimi është aq evident dhe i pakontestueshëm edhe prej atyre vetë, më duhet të nënvizoj se bashkëjetesa e qeverisë me drogën në kultivimin e paligjshëm dhe trafikimin e saj duke e bërë Shqipërinë portën kryesore tē kësaj veprimtarie kriminale, është tashmë prej kohësh e evidentuar dhe e konfirmuar edhe prej raporteve zyrtare të agjencive dhe shërbimeve partnere, sidomos atyre të SHBA dhe të Italisë.

Deklarimi zyrtar i Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, por edhe shembujt konkretë të asgjesimit të disa parcelave me fidanë që po bëhen gati të mbillen, siç kanë raportuar gazetarë të ndryshëm, janë parathënia e asaj që pritet të ndodhë dhe që mosveprimi i qeverisë e inkurajon.

Pa e zgjatur më tej komentin, ajo që duhet bërë është:

Kryeministri të mbledhë menjëherë Komitetin Kombëtar të Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës dhe të informojë publikisht se kush mban përgjegjësi për realitetin që denoncoi në komisionin e çështjeve ligjore të Kuvendit Prokurori i Përgjithshëm.

Dhe nga ana tjetër, Prokurori i Përgjithshëm, pavarësisht pamundësisë ligjore që ka për të urdhëruar prokurorët e tjerë të cilët me ndryshimet e bëra nga reforma në drejtësi nuk janë më vartësit e tij, dhe për rrjedhojë, nuk mund të urdhërohen, të paktën, nëse nuk e ka bërë, duhet ta informojë zyrtarisht me shkrim Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin e vendit e për dijeni, edhe Ministrin e Brendshëm, siç është praktika ligjore dhe zyrtare e komunikimit ndërinstitucional.

Nuk kam asnjë arsye të dyshoj në deklarimet publike të Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që historia apo precedentët e mëparshëm, realiteti shqiptar i veprimtarisē kriminale të kultivimit të drogës dhe kanabizimi i vendit, nuk janë në anën e qeverisë!

Ndërsa qeveria, shpeshherë na ka dëshmuar se nuk është në anën e zbatimit të ligjit,"-shkruan Rama në 'facebook'.

Ne.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • LUANI PA DHËMB: 14/05/2020 19:31

    O luani pa dhëmb me që të kan rën dhëmbët ha karotën e likes se ti për një karot je aty.

    Përgjigju
  • Hinglateri: 14/05/2020 14:13

    Ja dhe cari i LSI-se

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?