Sali Berisha

Rritja e numrit të Berishëve në SPAK ‘eskaloi’ dhunën brenda PD?

10 Nëntor 2023, 19:06| Përditesimi: 10 Nëntor 2023, 19:08

  • Share

Sali Berisha me sa duket ka hall të madh. Ai është në shënjestrën e SPAK, dhe me shumë gjasa hetimi tashmë është afruar shumë dhe në pjestarë të tjerë të familjes, nën akuzën për korrupsion dhe pastrim parash.

Në fillim ishte dhëndëri Jamarbër Malltezi, ai që u prangos në aeroportin e Rinasit, deri më tani një rast i pashpjeguar nëse ishte nisur për t’u arratisur jashtë shtetit për të përfituar azilin politik apo për të pritur bashkëshorten e tij, Argita Berisha Malltezi që po vinte nga Gjermania.

Deri më tani as burimet serioze të medias dhe as vetë organet ligjzbatuese nuk e kanë përfshirë në asnjë cep një informacion të tillë për ta bërë zyrtar e për të publikuar versionin e pritjes së familjarit të tij në Rinas. Vetëm Argita Berisha e disa media rrotull familjes së ish kryeministrit i kanë mëshuar një versioni të tillë, ndërkohë që të gjithë të tjerët kanë heshtur.

Pyetja që lind vetëvetiu është se, përse pikërisht Gjemania, vendi ku sipas SPAK janë transferuar para përmes bankave shqiptare të nivelit të dytë drejt bankave gjermane, në numrin e llogarisë së supermbesës Desara Malltezi, me argumentin se do blinte një shtëpi. Janë shumë 320 mijë euro të ‘transferuara’ nga babai Abi në drejtim të vajzës Desara, para për të cilat organet ligjzbatuese gjermane janë përfshirë në një hetim intensiv për të ditur burimin.

Dhënderi Jamarbër është i burgosur tashmë nën akuzën për pastrim parash, përmes përfitimit të miliona eurove që ka siguruar pa investuar asnjë lek, nga afera e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”. Pikërisht përmes ligjeve e vendimeve në kohën kur kryeministër ishte vjehrri i tij Sali Berisha.

Janë ndërtuar 19 kulla në këtë komplsk pallatesh dhe përfitimi i tyre, të paktën i bërë zyrtar deri më tani nga ana e SPAK, është në vlerën e 5.4 milionë eurove. Janë shumë para dhe kjo ka bërë që dhe pas kërkesave të Malltezit në shkallët më të larta të gjyësorit për ndryshimin e masës së sigurisë, sërish masa e sigurisë ‘arrest me burg’ të mbetet në fuqi për dhëndrin.

Ndërkohë që dhe vetë Berisha është nën hetim, me masë sigurie ‘detyrim paraqitje’ para organeve ligjzbatuese dy herë në muaj, për akuzën e ‘korrupsionit pasiv’ me rezultat përfitimin nga ana e dhëndrit Malltezi të shumave të mëdha si dhe të pastrimit të parave.

Ndonëse Berisha nuk ka pranuar të marrë njoftimin zyrtar, herë duke u fshehur e herë duke mashtruar përmes familjarëve të tij, nën justifikimin se nuk është respektuar Kushtetuta pasi duhej leja nga Kuvendi për të kufizuar daljen jashtë vendit përmes bllokimit të pasaportës, asnjë nga shkallët e gjyqësorit nuk e ka lëvizur këtë masë sigurie.

Për më tepër është lënë për të kuptuar se nëse Berisha, ndonëse në pleqërinë e tij të thellë që e favorizon për të mos përfunduar në qeli, nuk do të paraqitet në seancën e radhës të caktuar nga gjykata, para prokurorit të SPAK, atëherë është gjithë hapësira ligjore për të kërkuar lejen e Kuvendit për një masë më të ashpër sigurie. Dhe kjo masë gjasat janë të merret shumë shpejt. Por prevalon ‘arresti i shtëpisë’, për shkak të moshës tërësisht të thyer të Berishës, jo mbi 70 vjeç por ai ka 80 vite mbi supe.

Por rritjen e tensionit në limitet e humbjes së arsyes tek Berisha e ka shkaktuar diçka tjetër. Vizita e 10 prokurorëve të posaçëm të SPK, në përbërje të tyre ishin dhe oficerë të BKH, të kryesuar nga kreu i SPAK Altin Dumani, ka shqetësuar shumë Berishën, familjen dhe ortakët e tij. Pasi nuk ka qënë thjeshtë një ‘shëtitje’ në Uagjington vizita e pjestarëve të SPAK, sepse kanë takuar që nga DASH e deri tek DEA amerikane e anti-drogës dhe FBI amerikane.

Deviza e organeve ligjzbatuese amerikane është ndjekja e parave. Dhe kështu po vepron pikë për pikë SPAK, si me rastin e Lefter Kokës, ashtu dhe me rastin e ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj e me dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi. Janë ndjekur paratë.

Por Berisha ka hall tjetër. Ai është i shqetësuar nëse prokurorët e SPAK janë ‘armatosur’ dhe me dosje të tjera që prekin jo vetëm akuzat ekzistuese për të dhe për dhëndrin, por dhe për pjestarë të tjerë të familjes. Kjo e ka tërbuar Berishën, i cili ka humbur tërësisht logjikën politike.

Ia vlen të theksojmë se organet ligjzbatuese amerikane kanë shumë persona të ‘penduar’ dhe që kanë dëshmuar në SHBA, kundër Berishës e familjarëve të tij. Në SHBA gjenden dëshmitë e ish shefit të shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, gjeneral Luan Hoxha, azilant politik në SHBA nga frika e Shkelzen Berishës. Hoxha mund të ketë dhenë dëshmi të reja për “Gërdecin”, për të dyja çështjet, dhe të demontimit të municioneve dhe të tregëtisë së fishekëve kinezë jashtë vendit. Ka detaje gjenerali, ka dhe inat për t’i treguar shqeto ato, siç kanë ndodhur.

Në SHBA gjendet dhe dëshmia e tregtarit të municioneve Efraim Diveroli dhe ortakut të tij David Packouz, të cilët janë dënuar në SHBA për fishekët kinezë që i paketuan si fishekë të tjerë, për t’i dërguar në Afganistan. Janë rrëfyer ata. Diveroli ka shpjeguar dhe bisedën telefonike të bërë me të ndjerin Kosta Trebicka, tregëtarin e ‘tradhëtuar’ të ripaketimit të këtyre fishekëve pa etiketa kineze, i cili u gjet i vdekur pas një ‘aksidenti’ në një fushë, në pllajën e Korçës, ku kishte dalë për të gjuajtur.

Diveroli kishte përfshirë dhe emrin e Shkelzen Berishës, si njeriu që qëndronte pas këtij biznesi fitimprurës që kishte nxjerrë jashtë loje Trebickën. Janë të lidhura gjërat dhe për pasojë, rikthimi i hetimit të ngjarjes së Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 të pafajshëm, ka përfshirë dhe djalin e ish kryeministrit i cili është thirrur nga SPAK. Gjendet në listën e dëshmitarëve dhe pret të pyetet.

Por mund të merren dhe dokumentet dhe provat mbi të cilat gjykatat e të dyja shkallëve në Florida pasi shqyrtuan padinë për shpifje të Shkelzen Berishës ndaj gazetarit, shkrimtarit dhe skenaristit dhe autorit të librit “armët dhe çunat” Guy Laëson kanë vendosur rrëzimin e akuzës së Shkelzenit duke i dhënë të drejtë gazetarit që ka fiksuar në libër dhe në film se djali i ish kreut të qeverisë qëndronte pas biznesit tragjik të “Gërdecit’ për aferën e demontimit të municioneve dhe të tregtisë së fishekëve.

Gjykata me këtë vendim që rrëzon padinë e Shkelzenit, verteton se akuza e gazetarit amerikan ndaj djalit të ish kryeministrit për përfshirje në aferën e ‘Gërdecit’ qëndron, duke e marrë zyrtarisht të mirëqënë akuzën ndaj tij për përfshirje në biznesin e Gërdecit dhe në tregtinë e fishekëve kinezë, me etiketa të ndryshuara përmes Trebickës në fillim dhe më pas të një kompanie me numër llogarie në Qipro. Si gjithnjë në mes është Qipro.

Berisha është i shqetësuar se mos këto dokumente të gjykatave të Floridës kanë mbërritur ‘paketë’ bashkë me prokurorët e SPAK që janë kthyer nga vizita në SHBA. Apo dhe bashkë me letër-porositë nga një sërë bankash me qendër në Qipro apo gjetkë. Berisha i di mirë, ndaj është i acaruar përtej limiteve të ‘lejueshme’ që pritet prej tij.

Me sa duket afrimi i hetimeve drejt djalit të tij Shkelzen Berisha ka acaruar së tepërmi ish kryeministrin demokrat, pasi e ka ‘trashur’ shumë gjuhën kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të çështjes në ngarkim të tij e të dhëndrit. Duke i përmendur emër për emër, duke i lincuar si dhe kërcënuar publikisht dy apo tre herë në ditë. Vetë si dhe mbështetësit e tij tek Foltorja dhe ata në ato media që i kanë qëndruar besnike. Një presion i hapur dhe një kërcënim i hapur ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, por që me sa duket, nuk i ka trembur pjestarët e drejtësisë së re. Të cilët nuk po mjaftohen me sa duket me ish kryeministrin dhe dhëndrin e tij, por po hetojnë dhe familjarë të tjerë.

Për më tepër që Berisha ka nisur të intensifikojë dhe ‘lëvizjen’ e tij për bllokimin e punimeve të parlamentit, duke i apo detyruar deputetët që e ndjekin që të thyejnë karriget, të ndezin tymuese, të prishin mikrofonë në sallën e Kuvendit e deri duke u varur kangjelave të Kuvendit dhe duke i futur si ‘tarzanë’ sikurse tallet ai me ta, nga dritarja e kryesisë së Kuvendit.

Dhe sa më shumë afrohet momenti kur dhe djali i tij me shumë gjasa të jetë subjekt nën hetim i SPAK, aq më shumë Berisha ‘destabilizohet’ dhe humbet arsyen. Madje tërbimi mbërrin deri atje, sa është transpemtuar dhe tek deputetët mbështetës të tij, të cilët në mungesë të deputetëve të PS për të shfrytë dufin, kanë gjetur kolegët e tyre demokratë për të ushtruar dhunë fizike. Siç ishte rasti i sotëm kur deputeti Dashnor Sula sulmoi fizikisht dhe e qëlloi me dosje nënkryetarin e PD zyrtare të Bashës, njëherësh dhe deputetet, Kreshnik Çollaku. Dhunë në Kuvend kjo!

Prandaj themi që halli e ka bërë Berishën të humbasë arsyen sa të ndërsejë deputetët demokratë kundër deputetëve demokratë. Ndërkohë që dhe kauza e tij e bashkimit të PD me të cilën nisi luftën kundër Bashës dhe grupit të tij të PD zyrtare, tashmë na duket shumë e largët. Ajo dhe zyrtarisht tashmë është një kauzë për mbrojtjen e familjes së Berishës përballë drejtësisë, që po i thërret një nga një për t’u përballur me akuzat e shumta. Ndaj, dhe ish kryeministri më shumë se sa hallin e vet apo të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, ka hallin e djalit të tij Shkelzen Berisha, i cili sipas gjasave është shumë pranë marrjes nën hetim si i pandehur për “Gërdecin” e ndoshta dhe probleme të tjera. Aq më tepër që tashmë afera CEZ-DIA po hetohet me themnel dhe Nuel Kalaj, i akuzuar si sekser i familjes Berisha që mori në dorë mbi 7 milionë euro në një bankë të nivelit të dytë si ‘shpërblim’ për punën e mirë në këtë privatizim, mund të gjendet kollaj. Në aksin Prishtinë-Tiranë themi. Atëherë do ta shihni Berishën të ‘detabilizuar’ tërësisht.

Fati për shqiptarët është se përpos disa deputetëve askush nuk e ndjek Berishën në ‘aksionin’ e tij në mbrojtje të familjes duke bërë sherre në Kuvend. Kjo është parë për gati një muaj, ku as për kuriozitet nuk kanë ardhur tek dera e Kuvendit demokratët, ata që përbëjnë dhe ‘astetin’ për të krijuar një kauzë. Duke e lënë tërësisht vetëm në hallin e tij Berishën, familjen dhe ortakët e tij. Të cilëve po u ‘avitet’ avash avash SPAK. Me dosje të kopsitura në dorë.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?