Sot shefja e misionit të vëzhgimit të OSBE-ODIHR, Audrey Glover, bëri me dije se do të ketë rritje të numrit të vëzhguesve për të garantuar mbulimin e plotë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Sipas analistit, Ergys Mërtiri, shtimi i numrit të vëzhguesve, jo domosdoshmërisht do të sjellë si rezultat zgjedhje me standart më të lartë.
Në një lidhje ‘skype’ për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report TV, Mërtiri tha se problemi i vërtetë që duhet të zgjidhet sot në Shqipëri ka të bëjë me shitblerjen e votave para ditës së votimit.
Ai tha se grupe personash të armatosur kërcënojnë qytetarët për t’u marrë votën në favor të një partie politike. Analisti e cilësoi këtë si një mënyrë që partia në pushtet e përdor për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve.
“Por problemi i zgjedhjeve në Shqipëri nuk varet shumë nga ajo që ndodh në qendrat e numërimit apo kutitë e votimit. Sot problemi është se zgjedhjet vidhen ose manipulohen para ditës së votimit. Është vështirë që OSBE ODIHR ta kontrollojë këtë. Çështja është të gjendet një mekanizëm që të bllokohet shitblerja e votave, ku grupe kriminelësh të armatosur, shkojnë lagjee më lagje dhe me lista në duar blejnë votues. Kërcënojnë votues të caktuar, u marrin kartat e identitetit për të mos i lënë të votojnë. Kjo është mënyra sesi manipulohen votat nga partia në pushtet apo edhe nga partitë e tjera”- u shpreh Mërtiri.
Deklaratën e Glover se do të ishte e gatshme të takohej me këdo që merr pjesë në procesin zgjedhor, Mërtiri e analizoi si një përgjigjie që përjashton Berishën duke qenë se ky i fundit nuk është i regjistruar formalisht në zgjedhje si kryetar i një partie politike.
Ndërsa sa i takon sulmeve që Berisha bëri ndaj ambasadores Yuri Kim pasi kjo e fundit bëri thirrje që shqiptarët të mos votojnë për persona të korruptuar, analisti i cilësoi si qesharake dhe të ekzagjeruara të cilat shkojnë në favor të Ramës duke e nxjerrë para publikut si “të preferuarin” e SHBA-ve.
“Sulmet ndaj ambasadës amerikane, me apo pa dashje, janë një nder që Berisha ia bën Ramës sepse kështu del sikur SHBA është në krah të Ramës por kjo nuk është e vërtetë. Kjo ëhstë një nder që Berisha ia bën Ramës duke e paraqitur si person që ka mbështetjen e SHBA. Berisha po shfaq që nuk ka luftë me Ramën por me SHBA-të, duke iu përgjigjur drejtpërdrejtë. Kjo i humbet pikë atij përballë Ramës.
Akuzat që u bëhen diplomatëve të huaj për korrupsion, për mua janë krejtësisht të ekzagjeruara dhe joserioze. Duke akuzuar përfaqësuesit e shteteve aleate si të korruptuar, Berisha pritet të shkojë drejt problemeve me shtetet aleate, sepse nuk jep asnjë fakt, vetëm e thotë. Këto janë qesharake, akuza siç bën përditë në vend ndaj palëve politike. Shkon deri aty ku akuzon ministra për video erotike që thotë se nuk do i nxjerrë por nuk dalin kurrë”- shtoi Mërtiri mes të tjerash.