Rritja e pagave, debate në Këshillin Bashkiak të Lezhës! PD: Bashkia dështoi në mbledhjen e të ardhurave! Ndreu: Kemi dalë nga kolapsi financiar

28 Korrik 2023, 15:47| Përditesimi: 28 Korrik 2023, 15:55

  • Share

Propozimi për rritjen e pagave të administratës së Bashkisë shkaktoi debate në Mbledhjen e Këshillit bashkiak Lezhë, ku opozita akuzoi maxhorancën se ka dështuar në mbledhjen e të ardhurave gjatë këtij viti. Me shumicë votash  këshilli Bashkiak Lezhë miratoi rritjen e pagave për administratën. 

Objekt i fortë diskutimi mes opozitës dhe maxhorancës Në Këshillin Bashkiak Lezhë është bërë propozimi për rritjen e pagave të punonjësve të administratës së Bashkisë.

Për këshilltaren e Partisë Demokratike Alfrida Marku, Bashkia Lezhë ka dështuar si institucion në mbledhjen e të ardhurave gjatë vitit 2023 dhe se gjendja financiare e Bashkisë nuk është e qëndrueshme ndaj rritja e pagave nuk duhet parë me prioritet.

“Gjendja Financiare e Bashkisë nuk është e qëndrueshme pagat, të rriten në nivelet më të ulëta jo në nivele më të larta ,paga që korrespondojnë me funksione më të larta. Rritja e pagave sikur nuk është urgjente nuk mund të jetë prioritet. Nëse i referohemi raporit të monitorimit të zbatimit të buxhetit në 4 mujorin e parë të vitit 2023 , Bashkia Lezhë ka dështuar të mbledhë të ardhurat vendore duke arritur një shifër 32 % të asaj që kishte planifikuar në krahasim me vitin e mëparshëm”, tha Alfrida Marku, këshilltare e PD.

Nuk munguan replikat me opozitën dhe nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu i cili tha se institucioni që ai drejton ka dalë nga kolapsi financiar dhe deri të fund të vitit do të mblidhen të gjitha taksat vendore.

”Rritjen më të madhe e ka patur rritja e shërbimeve. Jemi munduar të bëjmë maksimumin Brenda këtij viti zerojmë borxhin. Bashkia Lezhë është jashtë kolapsit financiar sot. Nuk të vjen njeri me rroga të ulëta më dhe ne kemi vështirësi në rekrutimin e kapaciteteve që vijnë për të punuar në Bashkitë. Bashkia Lezhë qartësisht ka dalë nga zona e kuqe  dhe tani është në zonën jeshile”, tha Pjerin Ndreu, kryebashkiaku i Lezhës.

Pavarësisht debateve dhe kundërshtimeve, në përfundim të mbledhjes Këshilli Bashkiak i Lezhës miratoi me shumicë votash rritjen e pagave për Administratën e Bashkisë, të cilët do të jenë të parazvlefshme me rritjen që ka bërë qeveria që prej 1 prillit sipas kategorive përkatëse.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?