Rritja e pagës minimale/ Civici për Report Tv: Pozitive, por duhet të mësohemi me këto premtime se në fushatë politikës i shtohet dhembshuria sociale

23 Shtator 2020, 18:34| Përditesimi: 23 Shtator 2020, 20:48

  • Share

TIRANË- Një vendim shumë pozitiv, e ka cilësuar eksperti i ekonomisë Adrian Civici rritjen e pagës minimale në 30 mijë lekë, por që nuk nguron të theksojë që kjo vjen si rezultat i faktit që jemi në periudhë fushate zgjedhore. Në një intervistë për Report TV, Civici ka bërë ironi, duke thënë se nuk duhet të surprizohemi që këtë periudhë do të ketë "shumë dhembshuri për njerëzit" nga ana e partive politike.

"Jemi në një proces elektoral që ka nisur shumë herët, duhet të mësohemi që do të shtohet dhembshuria sociale. Natyrisht që përtej kësaj situate mendoj që është një vendim i mirë se Shqipëria është nga vendet me pagën minimle më të ulët dhe një numër shumë të madh punonjësish që punojnë me paga minimale. Rritja e pagës me 4 mijë lekë të reja është në vetëvete një lajm pozitiv që s'ka pse të kritikohet dhe të shihet me dyshim. Nëse do hyjmë në detaje më teknike kjo rritje page nuk ka lidhje me anën ekonomike po është pjesë e paketave sociale, ku qeveria vë një dysheme. Sa i përket sektorit shtetëror, kjo është më e lehtë se lidhet me buxhetin e shtetit dhe në ato raste kur ka paga minimale. Ky është një proces që nuk duhet të mbarojë me një mandat, por duhet të jetë vazhdimisht në vëmendje të politikave sociale, se për shumë familje është baraz me shpenzimet. Ka një kosto pas, por nuk duhet të trembemi se është masë e mbështetjes së politikave sociale. Një ndihmë për kategori shumë të madhe punonjësish, sidomos fason dhe call center. Duhet parë jemi akoma me premtimin për ta realizuar, por duhet parë si do gjenden fondet, si do jenë marrëdhëniet me biznesin privat që duhet ta zbatojë direkt", tha Civici.

VIDEO/Intervista e plotë

 

Nga ana tjetër, ai ka vlerësuar pozitivisht edhe premtimin për rritjen e pagës së mjekëve dhe mësuesve, pasi janë më pak të vlerësuarit në rajon, por mbi të gjitha do të ndikonte edhe në frenimin e largimit të tyre në masë, siç ka ndodhur deri më tani.

"Mendoj se si masë për rritjen e pagave të mjekëve dhe mësuesve është pozitive edhe për faktin që e premton dhe të dyja forcat politike. Është një domosdoshmëri jo vetëm si shpërblim, por edhe një faktor që të frenojë largimin e mjekëve dhe infermierëve drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera. Edhe politika jonë për të bërë një shpërndarje më të mirë të mjekëve duke përdorur si instrument pagesën apo shtesat në pagë ka qenë një politikë që nuk ka dhënë rezultate se kemi shumë zona që mbulohet nga disa shërbime mjekësore. Ka një kosto, por kjo duhet parë në sensin që me gjithë rritjet që janë bërë, sërish Shqipëria i financon pak ", përfundoi Civici në studion e Report Tv.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?