Kosova & Rajoni

Rritja e rasteve me COVID-19 në Kosovë, mjeku Tola: 95% e të shtruarve në spital të pavaksinuar! Virusi 10-fish më agresiv tek gratë shtatzëna

8 Shtator 2021, 20:34| Përditesimi: 8 Shtator 2021, 20:39

  • Share

KOSOVË- Kosova është në kulmin e valës së katërt të pandemisë, e cila po përballet me rekord infektimesh dhe viktimash në javët e fundit. Kështu ka deklaruar në 'Report Tv', infektologu Ilir Tolaj, i cili theksoi se 95% e të shtruarve në spital nuk e kanë marrë vaksinën anti-COVID, ose kanë marrë vetëm një dozë të saj.

"Ne jemi në kulmin e valës së katërt të pandemisë në Kosovë. Valë e cila nga intensiteti ishte më e ashpra që nga fillimi i pandemisë në vend. Numrat në Kosovë kanë shkuar disa herë më shumë se në Shqipëri, si numri i infektimeve, por edhe numri i vdekjeve është jashtëzakonisht shumë i lartë. Ky trend i numrave të lartë të rasteve do të vijojë. Masat që janë ndërmarrë për kufizimin e grumbullimeve të njerëzve në kafe, restorante e klube, me siguri që do japin efekt. Ne kemi tani një numër jashtëzakonisht të lartë të rasteve që janë në kujdes intensiv, disa të tjera janë edhe të intubuar. Ajo që është shumë e rëndësishme është fakti që 95% e tyre janë persona që nuk janë të vaksinuar, ose janë të vaksinuar me një dozë, ose kanë qenë vaksinuar tani afër", u shpreh Tolja.

Mjeku shpjegoi se sipas studimeve, virusi shfaqet 10-fish më agresiv tek gratë shtatzëna se tek gratë normale. Vetëm gjatë këtij viti, pesë gra shtatzënë kanë humbur jetën në Kosovë, si pasojë e infektimit me koronavirusin. Tolja tha se ka pasur një mungesë informimi në lidhje me vaksinimin kundër COVID, kundrejt disa grupeve vulnerabël, gjë e cila është reflektuar edhe në vdekjen e grave shtatzënë.

"Studimet tregojnë së ecuria e sëmundjes në gratë shtatzëna është 10-fish më e rëndë se tek gratë jo shtatzëna. Përqindja e vdekjeve tek gratë shtatzënë është disa herë më e lartë se tek gratë në përgjithësi. Në fillim nuk ka pasur një qëndrim shumë të qartë edhe nga autoritet botërore se a duhet të vaksinohen gratë shtatzëna, në momentin kur vaksina ishte në sasi të vogla, kryesisht në vendet e zhvilluara. Më vonë kjo dilemë u hoq, por fatkeqësisht informacionet e duhura nuk shkuan tek femrat që ishin shtatzënë ose donin të mbesnin shtatzënë. Fillimisht edhe këshillat për këtë kategori ishin të mangëta. Si rezultat ne kemi disa gra që kanë përfunduar në vdekje, le të themi se është një fatkeqësi e dyfishtë. Teoritë e ndryshme konspirative por edhe mosinformimi nga autoritet shëndetësore të Kosovës kanë bërë që informata dhe apeli mos të shkojë në masën e duhur të popullatës, duke i lënë të pavaksinuar disa grupe vulnerabël, siç janë gratë shtatzënë", tha Tolja.

Lidhur me ecurinë e fushatës së vaksinimit, infektologu tha se ritmi i vaksinimit ka qenë i ngadaltë, kjo për shkak se edhe nuk kanë pasur vaksina anti-COVID gjendje. Mirëpo kjo situatë është normalizuar pasi Tolja tha se në Kosovë ka mbërritur një donacion me vaksina dhuratë nga SHBA, ndërsa pritet edhe një tjetër donacion nga Polonia.

Duke u ndalur në shifra konkrete, mjeku tha se deri më tani mbi 200 mijë qytetarë kanë marrë të dyja dozat, ndërsa bëri apel për vaksinim, duke konsideruar vaksinën si mjetin e vetëm që kemi për të fituar betejën me koronavirusin.  

"Vaksinimi në Kosovë po ecën me një ritëm më të ngadaltë sesa është e domosdoshme. Është e nevojshme në situata të tilla që sa më shumë njerëz të vaksinohen brenda një afati të shkurtër kohor për të krijuar imunitet. Deri tani është bërë apel në autoritet shëndetësore që të shpejtohet vaksinimi. Deri tani nuk ka pasur vaksinat, por morëm një donacion nga SHBA do vijë dhe një tjetër do vij nga Polonia. Vaksina do ketë mjaftueshëm, por është e rëndësishme që tani të binden njerëzit që të vaksinohen. Përmes vaksinimit masiv do mund t'ia ndërrojmë kahun pandemisë. Kur flas për numrin e të vaksinuarve, është ende i kufizuar, mbi 200 mijë me dy doza, duhet të dimë që shumica janë persona që e kanë kaluar infeksionin në mënyrë të natyrshme. Kategoritë që iu janë shmangur vaksinimit janë të rinjtë që nuk e kanë konsideruar të rrezikshme COVID-19, përfshirë edhe variantin delta", përfundoi infektologu.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 1.029 raste të reja me COVID-19, ndërsa 28 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit. Aktualisht numri i rasteve aktive në të gjithë vendin është 22.223.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?