Duke filluar nga kjo e martë, Holanda futet në një izolim total të vendit për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus. Hapur do të qëndrojnë vetëm ato dyqane që janë të rëndësishme ndërsa të mbyllura do të jenë të gjithë të tjerat.
Në një deklaratë për mediat mbrëmjen e djeshme, kryeministri holandez Mark Rutte deklaroi se vendi do të qëndrojë i izoluar të paktën deri më 18 janar.
"Ne e kuptojmë se sa i vështirë është ky lajm për ju dhe për ne, sigurisht pak para Krishtlindjeve. Viti 2020 është një vit zie, humbje dhe trishtimi për shumë njerëz" tha Rutte.
Njerëzve u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur dhe të shmangin vizitat në shtëpitë e njëri-tjetrit, me jo më shumë se dy të lejuar në ditë përveçse gjatë Krishtlindjeve, kur njerëzit mund të takojnë një maksimum prej tre mysafirësh.
"Nevoja për të qenë së bashku rreth pemës së Krishtlindjes, veçanërisht pas këtij viti, është më e madhe se kurrë. Kjo është arsyeja pse unë do të doja t'ju kërkoja të respektoni masat tani më shumë se kurrë" - tha Rutte.
Sipas mediave të huaja, shkollat fillore dhe të mesme, si dhe universitetet, do të mbyllen nga e mërkura dhe do të kthehen përsëri në mësimin online. Bibliotekat, pishinat dhe kopshtet zoologjike gjithashtu duhet të mbyllin dyert e tyre, por dentistët dhe profesionistë të tjerë mjekësorë mund të vijojnë punën.
Rutte tha se bllokimi i gjerë është i nevojshëm për të frenuar numrin në rritje të rasteve të koronavirusit dhe ndikimin në sektorin e shëndetit.
"Më shumë se një milion trajtime të rregullta janë shtyrë," tha ai.
Numri i testeve pozitive të koronavirusit është rritur në mënyrë të vazhdueshme në Hollandë, duke arritur pothuajse 10,000 të dielën.