Ekonomi

Rritja ekonomike 17.8% ekspertët skeptik: Nuk është reale, s’duhet krahasuar me vitin 2020! Të rriten investimet që nxisin punësimin

1 Tetor 2021, 17:02| Përditesimi: 1 Tetor 2021, 17:18

  • Share

Rritja ekonomike me 17.89%  në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, për ekspertët e ekonomisë nuk është reale. Krahasimi, thonë ata, është bërë me një vit të pazakontë, ndërkohë që të ardhurat e familjeve janë të njëjta.

“Nëse ne do të shohim dhe do të zbresim pak në ekonominë reale dhe do të shohim të ardhurat që qytetarët arrijnë të kenë në fund të muajit, do të shohim që është prapë e njëjta situatë ose është përkeqësuar. Kjo rritje që u komentua nuk ka asnjë lloj ndikimi në ekonominë reale, por është një rritje thjesht për pjesën financiare, pra të ardhurat e bëra kryesisht nga shitja e energjisë elektrike. Ne nuk kemi industri që të na japi këtë rritje kaq të madhe”, shprehet eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj.

“Krahasimi me një vit të pazakontë është i përjashtuar nga teoritë statistikore në interpretimin e të dhënave makroekonomike. Do të ishte mirë që krahasimi të bëhet në mesatare shumë vjeçare për të kuptuar tendencën reale. Përndryshe nëse rënia në vitin 2020 do të ishte 20% këtë vit do të rritej ekonomia me 27%, kjo nuk ndryshon asgjë në pjatën e asnjë qytetari”, pohoi eksperti Zef Preçi.

Për ekspertin Zef Preçi tani është momenti për të orientuar investimet drejt rritjes së punësimit.

“Mendoj që nuk ka shumë vend për entuziazëm por ka vend për të reflektuar sa i takon destinimit të burimeve buxhetore dhe mundësi për investime private në prodhimin vendas si rruga e vetme që zgjeron punësimin dhe rrit fuqinë konkurruese të ekonomisë tonë shqiptare”, tha Preçi.

Ndërsa eksperti Vjoldi Danaj pohon se mungesa e eksportit të energjisë në 6 mujorin e dytë të vitit do të ndikojë negativisht në ekonominë e vendit.

“Dy tremujorët e ardhshëm do të karakterizohen jo më nga kjo rritje 17% apo 5% që ishte në tremujorin e parë por do të karakterizohet nga një rritje shumë e ulët, ku mesatarja totale e të gjithë vitit 2021 do të jetë jo më shumë se 3.5%”, thotë Danaj.

Ndërkohë për qeverinë kjo rritje e lartë ka ardhur si pasojë e masave të ndërmarra nga qeveria gjatë vitit të kaluar për të mbështetur qytetarët dhe bizneset. Një ditë më parë zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe ministrja e Financave Delina Ibrahimaj u shprehën se ekonomia po shkon drejt shërimit dhe rritja e të ardhurave është mbi pritshmëritë e tyre.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?