Banka Botërore

Ekonomi

Rritja ekonomike e Ballkanit Perëndimor do ngadalësohet në 2026-ën/ Raporti i BB: Problem rënia e popullsisë dhe mungesa e fuqisë punëtore 

7 Tetor, 13:18| Përditesimi: 7 Tetor, 13:21

  • Share

Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të përshpejtohet me ritme të moderuara në vitin 2026 dhe të rimëkëmbet më fortë në vitin 2027, e mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve dhe investimeve, ndërsa pasiguritë në ekonominë globale zbuten. Për të mbështetur progresin drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, rajoni duhet të fokusohet në krijimin e vendeve më cilësore të punës, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore të publikuar sot.

Në vitin 2025, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor u ngadalësua për shkak se inflacioni zbehu rritjen e konsumit dhe rritja e pasigurisë frenoi tregtinë dhe investimet, pavarësisht rritjes së fortë të pagave dhe kredive. Politika fiskale, ndonëse disi e lehtësuar, mbeti e disiplinuar, ku deficiti ishte nën 3% dhe borxhi publik vijoi trajektoren rënëse. Raporti i Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor parashikon që rritja ekonomike e kombinuar e Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të arrijë në 3.0% në vitin 2025, që është 0.2 pikë përqindje më e ulët se parashikimet e mëparshme. 

Rritja parashikohet të përshpejtohet në 3.1% në vitin 2026 dhe 3.6% në vitin 2027.

“Ballkani   Perëndimor   po   përparon   në   drejtim   të   ngushtimit   të   hendekut   të   zhvillimit   me   ekonomitë   më   të  përparuara të Bashkimit Evropian, por rritja mbetet e pamjaftueshme për të përmbushur aspiratat e qytetarëve”, thotë  Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Në mënyrë që rajoni të shndërrohet në një ekonomi moderne, është e rëndësishme të riformulohen strategjitë e punësimit – siç janë nxitja e rritjes së pjesëmarrjes në tregun e punës, përmirësimi i aftësive të popullsisë dhe rritja e bizneseve përmes  përdorimit të teknologjive më të reja digjitale.”

Sipas raportit, Ballkani Perëndimor përballet me një paradoks të tregut të punës: mungesa e fuqisë punëtore vijon të jetë e pranishme në disa sektorë, paralelisht me shkallën e lartë të papunësisë - mbi 10 përqind - dhe pjesëmarrjen e ulët në forcën e punës, e cila mbetet nën 55 përqind, veçanërisht për gratë, të rinjtë dhe të  moshuarit. Tendencat demografike po i përkeqësojnë akoma më shumë këto sfida. 

Popullsia në moshë pune ka rënë ndjeshëm dhe parashikohet të tkurret me gati 20 përqind deri në vitin 2050. Nëse tendencat aktuale të popullsisë, rritjes ekonomike dhe të tregut të punës do të vazhdojnë, rajoni mund të përballet me një mungesë prej më shumë se 190,000 punëtorësh gjatë pesë viteve të ardhshme. Për t’i hapur rrugë rritjes ekonomike, Ballkani Perëndimor duhet të investojë në infrastrukturën bazë, e cila është thelbësore për krijimin e vendeve të punës. 

Kjo përfshin forcimin e sistemeve të arsimit dhe shëndetësisë dhe rritjen e pjesëmarrjes në forcën e punës - veçanërisht për gratë. Investimi në infrastrukturën e transportit, mjedisit dhe energjisë do të ndihmonte në një lidhje më të shpejtë dhe më efikase të bizneseve me punonjësit, duke përmirësuar kështu produktivitetin.

Së dyti, forcimi i qeverisjes dhe mbështetja e politikave për krijimin e bizneseve, së bashku me një mjedis rregullator të parashikueshëm, janë thelbësore për funksionimin dhe rritjen e sektorit privat. Nxitja e konkurrencës në   sektorë   kyç   si   energjia   dhe   transporti,   reformimi   i   ndërmarrjeve   shtetërore,   thjeshtimi   i   rregullave   dhe mbështetja  e  bizneseve  të reja  inovative  (startup-eve) do   t'u  japë  mundësi  bizneseve të  zgjerohen  dhe të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve. Së fundi, mobilizimi i kapitalit privat duhet të mbështesë bizneset me financim, investime, garanci dhe sigurime, duke inkurajuar gjithashtu përdorimin e teknologjive më të reja digjitale dhe të gjelbra.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?