Portali gjerman WEB.DE ka renditur Shqipërinë të parën në listën e destinacioneve evropiane me rritjen më të shpejtë të turizmit për vitin 2024.
Shqipëria zë vendin e parë në renditje: Vendi ka fituar popullaritet dukshëm më shumë se çdo tjetër vitet e fundit dhe së fundmi ka mirëpritur 80% më shumë turistë se në vitin 2019. Me këtë rritje, Shqipëria renditet gjithashtu e treta në renditjen globale: vetëm Katari (+137%) dhe El Salvador (+81%) shënuan rritje edhe më të mëdha.Qytetet dhe fshatrat e vendit tërheqin shumë turistë, duke mos lënë pa përmendur dhe rivierën në jug shkruan WEB.DE.
Një nga më të njohurat është riviera shqiptare, e cila shtrihet përgjatë bregut të Jonit dhe bën përshtypje me plazhet, gjiret dhe ujin e pastër.
Por qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë tërheqin gjithashtu udhëtarë. Përveç kryeqytetit Tiranë, vlen të vizitohen edhe qyteti historik i Gjirokastrës dhe qyteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati. Me fshatrat tradicionale, qytetet e gjalla dhe peizazhet mbresëlënëse, Shqipëria konsiderohet një alternativë e vlefshme dhe e përballueshme për vendet e tjera të Mesdheut.
Nëse dëshironi të përjetoni vendin në një mjedis relativisht të qetë, duhet të planifikoni pushimet tuaja atje së shpejti duke pasur parasysh numrin në rritje të vizitorëve, thuhet në artikullin e botuar.
Artikulli u shpërnda nga kryeministri Edi Rama.
“Me rritjen e shpejtë të numrit të vizitorëve, ata që dëshirojnë ta shijojnë ende në qetësi duhet ta planifikojnë udhëtimin sa më parë, sugjeron media gjermane në prag edhe të nisjes së Panairit Global të Turizmit në Berlin ku këtë vit Shqipëria është Vendi i Nderit”, shkroi Rama në rrjetet sociale krah linkut të artikullit të shkruar nga portali.
Komente
