Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim dhe Ambasadorja e Suedisë Elsa Håstad organizuan një forum me 13 organizata që merren me cështjen e dhunës me bazë gjinore që është shumëfishuar gjatë pandemisë për shkak të izolimit.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë përmes një postimi në Facebook shkruan se dy ambasadoret kanë diskutuar hapur mbi përpjekjet e shtuara të organizatave dhe sfidat e tyre në përgjigje të ndikimit që pandemia ka pasur në viktimat e dhunës me bazë gjinore, nga rreziku më i lartë i dhunës nga pjesëtarë të familjes.
Sipas saj në prill, "Linja Kombëtare për Gra dhe Vajza" mori 975 telefonata raportuese krahasuar me 312 në prill të 2019-ës dhe 90% e tyre morën shërbime mbështetëse nga organizatat vendore që punojnë me çështjet e dhunës me bazë gjinore.
Ato bënë thirrje për nevojshmërinë e një përgjigjeje më gjithëpërfshirëse nga publiku dhe institucionet qeveritare, përfshirë edhe policinë, në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhënien e mbështetjes për viktimat e saj.
Postimi i plotë:
Për të adresuar shqetësimin në rritje të numrit të lartë të rasteve të dhunës me bazë gjinore gjatë kufizimeve të COVID-19, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim dhe Ambasadorja e Suedisë Elsa Håstad organizuan një forum me 13 organizata që punojnë me këtë çështje. Të dyja Ambasadoret patën një diskutim shumë të hapur mbi përpjekjet e shtuara të organizatave dhe sfidat e tyre në përgjigje të ndikimit që pandemia ka pasur në viktimat e dhunës me bazë gjinore, nga rreziku më i lartë i dhunës nga pjesëtarë të familjes, mungesën e mjeteve financiare për shkak të punësimit informal, rrezikun më të lartë të problemeve shëndetësore, deri tek rritja e vështirësive në qasjen ndaj drejtësisë për shkak të masave kufizuese.
Në prill, Linja Kombëtare për Gra dhe Vajza mori 975 telefonata raportuese krahasuar me 312 në prill të 2019-ës, dhe 90% e tyre morën shërbime mbështetëse nga organizatat vendore që punojnë me çështjet e dhunës me bazë gjinore. Ambasadoret bënë thirrje për nevojshmërinë e një përgjigjeje më gjithëpërfshirëse nga publiku dhe institucionet qeveritare, përfshirë edhe policinë, në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhënien e mbështetjes së nevojshme për viktimat e saj.