Zelensky shtrëngon duart me kreun e Shërbimit të Sigurisë, Vasyl Malyuk

Bota

'Rrjeta e merimangës', sulmi i guximshëm i Ukrainës ndaj Rusisë! 18 muaj përgatitje për operacionin, dëmi 7 mld dollarë! Goditje e rëndë ndaj ushtrisë së Putinit

1 Qershor, 23:56| Përditesimi: 2 Qershor, 08:47

  • Share

Është e vështirë të ekzagjerohet guximi, apo edhe zgjuarsia, që u desh për ofensivën në shkallë kombëtare të Ukrainës ndaj forcave ajrore ruse. Nuk mund të verifikojmë pretendimet ukrainase se këto sulme kanë shkaktuar dëme me vlerë 7 miliardë dollarë (rreth 5.2 miliardë paund), por është e qartë se "Operacioni Rrjeta e Merimangës" ka qenë, të paktën, një goditje spektakolare propagandistike.

Ukrainasit tashmë e krahasojnë me sukseset më të mëdha ushtarake që prej fillimit të pushtimit të plotë nga Rusia, përfshirë fundosjen e anijes flamurmbajtëse të flotës së Detit të Zi, “Moskva”, dhe bombardimin e urës së Kerçit në vitin 2022, si dhe sulmin me raketa në portin e Sevastopolit vitin pasues.

Sipas detajeve të zbuluara për mediat nga inteligjenca ushtarake ukrainase, SBU, ky operacion i fundit është arritja më komplekse deri më tani.

Në një mision që thuhet se ka marrë 18 muaj për t’u përgatitur, dhjetëra dronë të vegjël janë kontrabanduar në territorin rus, janë fshehur në ndarje speciale brenda kamionëve të mallrave, janë transportuar në të paktën katër lokacione të ndryshme, mijëra kilometra larg njëri-tjetrit, dhe më pas janë lëshuar në mënyrë të telekomanduar drejt bazave ajrore aty pranë.

“Asnjë operacion tjetër i inteligjencës në botë nuk ka realizuar diçka të tillë,” u shpreh analisti i mbrojtjes, Serhii Kuzan, për një televizion ukrainas.
“Këta bombardues strategjikë janë të aftë të kryejnë sulme me rreze të gjatë kundër nesh,” shtoi ai.

“Ka vetëm 120 të tillë dhe ne goditëm 40 prej tyre. Ky është një numër i jashtëzakonshëm.”

Është e vështirë të vlerësohet dëmi real, por blogeri ushtarak ukrainas, Oleksandr Kovalenko, thekson se edhe nëse bombarduesit dhe avionët e komandës dhe kontrollit nuk janë shkatërruar plotësisht, ndikimi është gjigant.

“Shkalla e dëmit është e tillë që kompleksi ushtarako-industrial rus, në gjendjen që është aktualisht, zor se do të mund t’i rikuperojë ato në të ardhmen e afërt,” shkruan ai në kanalin e tij në Telegram.

"Bombarduesit strategjikë të përfshirë – Tu-95, Tu-22 dhe Tu-160 – sipas tij, nuk janë më në prodhim. Riparimi i tyre do të jetë i vështirë, zëvendësimi i tyre i pamundur.
Humbja e Tu-160, një avion supersonik, do të ndihet veçanërisht", shkruan ai.
“Sot, Forcat Ajrore Ruse nuk humbën thjesht dy nga avionët më të rrallë të tyre, por në të vërtetë dy ‘njëbrirësha’ në tufë,” u shpreh ai.

Përtej dëmeve fizike, që mund të jenë ose jo aq të mëdha sa po i vlerësojnë analistët, Operacioni “Rrjeta e Merimangës” dërgon një mesazh tjetër kritik, jo vetëm për Rusinë, por edhe për aleatët perëndimorë të Ukrainës.

Kolegu im, Svyatoslav Khomenko, që shkruan për shërbimin ukrainas të BBC-së, kujton një takim të fundit me një zyrtar qeveritar në Kiev.
Zyrtari shprehej i zhgënjyer:
“Problemi më i madh,” i tha ai Khomenkos, “është se amerikanët janë bindur se ne tashmë e kemi humbur luftën. Dhe që nga ai supozim, rrjedh gjithçka tjetër.”

Gazetari ukrainas i mbrojtjes, Illia Ponomarenko, e tha në një mënyrë tjetër në një postim në X, duke iu referuar takimit famëkeq të presidentit Volodymyr Zelensky me Donald Trump në Zyrën Ovale:
“Kjo ndodh kur një komb krenar, nën sulm, nuk i dëgjon të gjitha ato zëra: ‘Ukraina ka vetëm edhe 6 muaj’. ‘S’keni më letra në dorë’. ‘Dorëzohuni për paqe, Rusia nuk mund të humbasë’.”

Edhe më therës ishte një postim i revistës “Business Ukraine”, që me krenari shkruante: “Rezulton që Ukraina paska disa letra në dorë pas të gjithave. Sot, Zelensky hodhi ‘Mbretin e Dronëve’.”

Ky është, pra, mesazhi që delegatët ukrainas mbartin me vete ndërsa mbërrijnë në Stamboll për një raund të ri bisedimesh për armëpushim me përfaqësues të Kremlinit: Ukraina është ende në lojë.

“Amerikanët kanë filluar të sillen sikur roli i tyre është të negociojnë për ne termat më të butë të dorëzimit,” i tha zyrtari qeveritar Svyatoslav Khomenkos.
“Dhe pastaj ndihen të ofenduar kur ne nuk i falënderojmë. Por natyrisht që nuk i falënderojmë, sepse nuk besojmë se kemi humbur.”

Pavarësisht avancimit të ngadaltë, por të pandalshëm, të Rusisë në fushëbetejat e Donbasit, Ukraina i tregon Rusisë dhe administratës Trump se nuk duhet të nënvlerësojnë kaq lehtë perspektivat e Kievit./BBC

SI.E./Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 02/06/2025 06:13

    Kjo ndodhi pse te gjith Ruset ishin te dehur dhe kishin haruar te ndertonin hangar per ti fshehur nga Armiqt,dhe ky eshte Cmimi i gjobes pra lamtumire Rusi si superfuqi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Cilat duhet të jenë prioritetet e mandatit të katërt të qeverisë Rama?