TIRANË- Një grup që trafikonte vajza nga Azia Qendrore dhe Amerika Latine në Shqipëri me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion është goditur nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST. Në kuadër të operacionit “Rrjeti”, sipas Prokrorisë së Tiranës, e cila udhëhoqi hetimet, u lëshuan 19 masa sigurie, 9 të cilat u ekzekutuara në Shqipëri dhe 10 në Kolumbi, 3 persona u shpallën në kërkim. Në vendin tonë u ekzekutuan 7 masa sigurie “arrest me burg”, 2 masa “detyrim paraqitje”, 2 të tjerë u shpallën në kërkim, ndësa organizatori Lukas Betancur është arrestuar në Kolumbi.
Në vendin tonë ranë në pranga, Assel Adrysheva, Rostyslav Mieshkov, Denis Berisha, Mirel Shpërdheja, Dritan Sukaj, Ilmar Gugashi dhe Kejvin Ndreu, ndërsa 48 vajza të huaja janë vënë në hetim për ushtrim prostitucioni.
Hetimi për shkatërrimin e këtij grupi nisi që në muajin shkurt 2025. Koka e grupit, kolumbiani Lukas Betancur kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine, duke u organizuar atyre udhëtimin dhe akomodimin në vendin tonë, ku më pas ushtronin edhe prostitucionin. Në rastet kur vajzat refuzonin ose kërkonin të largoheshin, ato kërcënoheshin me familjarët e tyre në Kolumbi.
Kolumbiani i cili rezulton të jetë edhe menaxheri kryesor i faqeve online të prostitucionit, “Happy Escort” dhe “Euro Girls”kontaktonte me vajzat përmes rrjeteve sociale dhe i mashtronte, me qëllim që t’i rekrutonte për të shfrytëzuar për prostitucion. Ai u jepte vajzave borxh një shumë prej 5 mijë eurosh për shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit drejt vendit tonë. Një shumë që ishte e pamundur të shlyhej dhe më pas në rastet kur ato donin të largoheshin, kërcënoheshin përmes familjeve.
Krahu i djathtë i kolumbianit në vendin tonë ishte Dritan Sukaj. Ai menaxhonte rrjetin e prostitucionit në vendin tonë dhe u siguronte akomodim vajzave. Gjatë operacionit “Rrjeti” është zhbuluar edhe një hotel në rrugën “Reshit Çollaku” në kryeqytet, që përdorej për ushtrimin e prostitucionit. Ndërkohë, dy prej të arrestuarve, Assel Adrysheva dhe Kejvin Ndreu ishin tutrorët e disa vajzave nga Kazakistani dhe i strehonin në këtë hotel. Ndërsa, anëtari tjetër i grupit Denis Berisha u jepte drogë vajzave që ushtronin prostitucion e u gjente klientë.
Këtij grupi pak muaj më parë i është arrestuar një tjetër anëtar, i cili të gjitha të ardhurat që përfitoheshin nga ky aktivitet kriminal i transferonte përmes kriptovalutave në llogaritë e organizatorit Lukas Betancur.
"Nga hetimet dyshohet se: -shtetasi L. B., kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas ato detyroheshin të ushtronin prostitucion. Në rast refuzimi, L. B. ushtronte presion dhe kërcënime ndaj vajzave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi. Ky shtetas bashkëpunonte me shtetasin D. S., për sigurimin e kushteve për akomodimin e vajzave dhe menaxhimin e rrjetit të prostitucionit;
-shtetasi I. G. kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Collaku”, në Tiranë, si vend për akomodomin e vajzave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion;
-shtetasit A. A. dhe K. N. shfrytëzonin për prostitucion, disa shtetase nga Kazakistani, të cilat i strehonin në këtë hotel;
-shtetasi D. B. iu jepte lëndë narkotike disa vajzave dhe siguronte klientë për prostitucion;
-shtetasi K. P. (i arrestuar më parë), mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e shtetasi L. B", njoftoi Policia e Tiranës.
Hetimi në Shqipëri u bë nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa gjatë operacionit janë sekuestruar shuma parash, 7 celularë dhe prova të tjera të vlefshme për hetimin. Për kryerjen e këtij operacioni me sukses në Shqipëri dhe Kolumbi, një delegacion i autoriteteve shqiptare udhëtoi në Medelin, i përbërë nga zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, shefi i sektorit të Antitrafiqeve, Arbër Zemani, prokurori Ritvan Suka, dhe oficerja shqiptare e kontaktit në Hagë. Po ashtu, në operacion morën pjesë edhe 1 oficer nga Kroacia dhe Europol.
Foto:Lucas Betancur
Lucas Betancur, 25 vjeç, i konsideruar si kreu i rrjetit kriminal të prostitucionit, i goditur nga Antitrafiqet e Tiranës dhe autoriteteve kolumbiane, rezulton të jetë menaxheri kryesor i faqeve online të prostitucionit, “Happy Escort” dhe “Euro Girls”, përmes së cilave me dhjetëra vajza kolumbiane dhe të kombësive të ndryshme reklamohen për shërbimet e tyre seksuale kundrejt pagesës.
Aktivitetin e sjelljes së vajzave të Amerikës Latine dhe jo vetëm, nuk e kishte shtrirë vetëm në Shqipëri, por thuajse në të gjithë Ballkanin dhe Europë.
Prova kundër tij në Kolumbi, përveç Shqipërisë, dërguan edhe vende si Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Gjermania. Autoritetet shqiptare mundën të marrin deklarimin e të paktën 40 vajzave të huaja që janë shfrytëzuar për ushtrim prostitucioni në Shqipëri, duke siguruar kështu pjesën më të madhe të materialeve kundër Betancur.
Burime nga Antitrafiqet e Tiranës bëjnë me dije se 25-vjeçari, pasi arrinte të rekrutonte vajzat, u paguante udhëtimin drejt Shqipërisë, ku më pas nisnin edhe aktivitetin e prostitucionit. Në rastet kur vajzat donin të hiqnin dorë nga puna, u bënte presion dhe kërcënonte vazhdimisht. Autoritetet kolumbiane kanë mundur të sigurojnë prova se ai arrinte deri në marrjen peng të familjarëve të vajzave në Kolumbi, përfshirë motrat apo nënat e vajzave.
Nën kërcënim ato vijonin punën në Tiranë. Në Kolumbi, në mesin e të arrestuarve është edhe Mario Betancur, babai i 25-vjeçarit, i cili është kreu i grupi të trafikut, por deri më tani ndaj tij nuk janë gjetur prova për implikimin brenda Shqipërisë.
Komente
