Rrofshin faqezinjtë që na zbardhin faqen!

9 Qershor 2018, 13:09| Përditesimi: 9 Qershor 2018, 13:11

  • Share

Qëkurse erdhi dita dhe u bë e mundur që nëpër kutitë e votimit të shfaqje vullnetin tënd e të bëje zgjedhje të lirë, në këtë vend nuk janë bërë asnjëherë zgjedhje.

Po i lemë, të mëparshmet, por le të themi që pas gremisjes së komunizmit, tek ne nuk ka patur votime.

Në Shqipëri që prej një çerek shekulli bëhen vetëm kundërvotime. Vota nuk është hedhur kurrë në kuti për të zgjedhur, por për të ndëshkuar. Nuk është dhënë për të sjellë ca njerëz në pushtet, por për të larguar ca të tjerë nga pushteti.

Dhe kjo përbën dhe çelësin e zbërthimit të jetës politike në vendin tonë. Grupimet politike nuk kërkojnë timonin e vendit nëpërmjet shpërfaqjes së vlerave të reja, nëpërmjet projekteve konkretë, planifikimeve realiste, dëshmisë së njohjes me rrënjë të problemeve të vendit.

Ata nuk i hyjnë kësaj pune, këtij studimi dhe hartimi të lodhshëm – edhe kur duket sikur e bëjnë këtë, gënjejnë, mashtrojnë, shijojnë efektin e bukur të premtimeve që e dijnë që nuk do t’i mbajnë dhe shpresojnë që me mosmbajtjen të i mos sjellin vetes ndonjë dëm kushediçfarë.

Por ndihen komodë në ujërat e tyre. Dhe shpresat më të shumta ata i mbështetin tek nxirrosja, tek demonizimi i kundërshtarëve. Kjo është më e lehtë, më konkrete dhe më pasionante.

Është si të thuash bazuar mbi platformën e njohur “mos kërkoni të gjeni sa të mirë jemi ne, por vëreni sa të këqinj janë ata!”

Kundërshtarët e larguar nga pushteti i lumturon çdo dështim i qeverisë, çdo rritje e varfërisë, çdo përbuzje ndërkombëtare, kurse partinë në pushtet e gëzojnë zbulimet sabotative, skandalet e të gjitha llojeve dhe brohoret çdo histori të vjetër korruptive.

Kështu një popull nuk ka përse të presë bashkëpunimin mes tyre, festa të përbashkëta lumturimin në hapjen për të gjithë, të mirët dhe të këqinjtë shqiptarë, të dyerve në botën e qytetëruar.

Dhe vetevetiu urra-të dhe fishekzjarret e votimeve nuk flakërojnë ngaqë po na vjen Berisha dhe Meksi, që askush nuk i di se sa të zotët janë, por le të këndojmë në kupë të qiellit se hoqëm nga sytë komunistët e Ramiz Alisë.

E pastaj, në ‘97 lumturia u sigurua ngaqë u sikteris Berisha me firmat e tij piramidale, dhe se më vonë theu qafën Nanoja me zinxhirin e tij të korrupsionit, dhe se më së fundi, pas Nanos, perëndoi edhe ylli i mashtruesit më të madh të të gjitha kohëve, spekullantit, demagogut që erdh e na u shfaq në horizont tamam kur menduam se po fillonin edhe për ne ditë me djellë.

Pra, është e qartë dhe duhet ta themi se ne festojmë ikjet, nuk na lumturojnë ardhjet. Prandaj është bërë e zakonshme që batakcinjtë e politikës shqiptare të brohorasin:
Rrofshin faqezinjtë që zbardhin faqen tonë!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?