A ka tinguj më të bukur sesa ato që ndihen nga melodia që luhet për jetën? Koronavirus na bëri të kuptojmë edhe njëherë që jo! Situata që ky armik i padukshëm krijoi në të gjithë botën na tregoi se asgjë nuk ka më rendësi sesa jeta jonë dhe ajo e të dashurve tanë dhe se në çdo kohë, lufta që bëhet 'në emër të jetës' është e drejtë! Kjo luftë, në frontin e parë të së cilës janë mjekët, mbeshtetet dhe bëhet edhe më e fortë nga ata, 'ushtarët' që me artin e tyre të japin forcë për të vazhduar bindshëm drejt rrugës së fitores...edhe ndaj Covid-19.
Në të gjithë botën, artistët kanë sjellë këngë, si thirrje të fuqishme që burojnë nga shpirti për rëndësinë e jetës dhe vijueshmërisë së ekzistencës njerëzore.
Jo pak, por më shumë se 14 minuta 'këshilla' karantine i ka drejtuar Ermal Mamaqi të gjithë atyre që situatën e krijuar nga koronavirus e kanë marrë me shaka. Për aktorin e humorit, i cili më seriozisht se kurrë ka apeluar për reflektim, koronavirus po shkakton ndryshime të thella, duke nisur me papunësi të lartë.
Sipas tij, kjo situatë do të nxjerrë në pah ata që nuk vlejnë dhe do të lërë hapësirë për të ecur përpara vetëm për njerëzit e aftë, ndaj bën thirrje të shikoni raportin tuaj me shoqërinë, duke u munduar të jeni së pari të vlefshëm për veten, dhe pastaj për vendin dhe të krijoni të ardhmen tuaj. Video mesazhin e tij Mamaqi e mbyll me fjalët e Biblës: "Kush ka veshë për të dëgjuar do të dëgjojë, dhe kush ka sy për të shikuar do shohë...".
Tashmë nuk është e pazakontë që rrjetet sociale të përmbajnë video që i japin një tjetër kuptim karantinës sonë.
Momente emocionuese dhurohen vazhdimisht, në këmbim të ndërgjegjësimit për të qëndruar në shtëpi, në një kohë kur ndjejmë se shpejt do dalim fitimtarë në luftën kundër koronavirus.
Mirko e Valerio janë dy violinistë të vegjël italianë, të cilët kanë dhuruar momente emocionuese duke sjellë në violinë melodinë e "Viva la vida". Mesazhi i dy artistëve shumë premtues të vendit që i dhuroi qytetërimin Evropës është i qartë: Rroftë jeta dhe jetofshim vetëm momente të gëzuara...
Seline Dion, Lady Gaga, John Legend, Andrea Bocelli dhe Lang Lang bashkë në një koncert! Për shumë adhurues të muzikës së tyre mbase mund të ishte një ëndërr, por koronavirus arriti t'i bashkonte artistët e njohur në një koncert virtual.
Nga shtëpitë e tyre, ata kanë kënduar "The Prayer", si një lutje që të gjitha lëndimet e zemrave nga koronavirus të marrin fund sa më parë.
Me tekst të Eriona Rushitit dhe kompozim të Enis Mullaj, në ditët e tij të karantinimit Erik Lloshi sjell këngën më të re 'Sa du' një këngë me motive shkodrane.
Këngëtari ka vendosur ta publikojë në rrjetet sociale, për ta dërguar më pranë publikut virtual, që nga izolimi vazhdon të jetë spektator besnik i këngëtarëve dhe artistëve shqiptarë.
"Është material i veçantë dhe më pëlqen shumë", shkruan krahas videos këngëtari Erik Lloshi.
Të shumtë kanë qenë edhe fëmijët që ditët e tyre në karantinë i kanë ndarë me njerëzit në rrjetet sociale, duke zbukuruar edhe ditët e këtyre të fundit. 'Tik Tok'-ut nuk i ka shpëtuar as mbesa e aktorit të humorit Bes Kallakut, vajza e gazetares Ana Kallaku që realizon një prej sfidave në rrjete sociale.
Nga shtëpitë e tyre edhe Rita Ora e Liam Payne kanë interpretuar këngën 'For You'. Rrënqethëse si performancë, por dy artistët me famë botërore e kanë shoqëruar edhe me thirrjen sensibilizuese për të qëndruar në shtëpi. Me anë të kësaj nisme, sic njofton dhe këngëtarja me origjinë shqiptare, jo vetëm do te përcohet muzikë e art në shtëpitë e publikut, por edhe do te grumbullohen para për të ndihmuar në luftën kundër Covid-19.