Ekonomi

Rruga e Arbrit, një ëndërr që në vitin e largët 1922, gjurma dhe kostoja! Ja segmentet e rrugës tashmë të hapura, Qafa e Murrizit më problematike

30 Nëntor 2021, 16:07| Përditesimi: 30 Nëntor 2021, 16:12

  • Share

Rruga e Arbrit një investim i përfolur që në vitin 1922, i hapur pjesërisht një ditë më parë pritet të përfundojë plotësisht në prill të vitit të ardhshëm. Deri në vitin  1932 ky segment quhej ‘Rruga e Dibrës’ dhe funksionoi deri kur u hap rruga automobilistike Krujë-Burrel.

Rruga kalon në fshatrat e Tiranës konkretisht në njësinë Administrative të Zall Bastarit (Ferraj, Brar, Shkalla-Tujanit Zall Dajt, Kurte, Zall Bastar, Bastar-Murriz) dhe nëpërmjet Tunelit të Murrizit rruga përshkon territorin e Bashkisë Klos (duke përshkuar fshatrat Drezes, Xibër, Shkallë, Fshati Fshat). Pas daljes nga tuneli i Qafe Buallit rruga kalon në Bashkinë Bulqizë, dhe në afërsi të urës se Çerenecit përshkon ne gjurmën e re, në të djathtë të fshatit Shupenzë e më tej në Gjoricën e poshtme e përfundon në Bllatë të Dibrës.

Gjatësia e këtij projekti Tiranë-Bllatë është në total 69.319 kilometra, ndërsa rruga që përfshihet në kontratën koncesionare është 54.271 kilometra, 10 km janë ura dhe 5 km rrugët lidhëse.

Pjesë përbërëse të këtij projekti janë 6 tunele me gjatësi totale 10 kilometra, janë 4 ura ku dy janë struktura betoni dhe 2 ura të tjera me strukturë çeliku me gjatësi totale 1.4 kilometra. I gjithë ky investim kushton 40.3 miliardë lekë me TVSH.

Punimet për ndërtimin e rrugës nisën në 2019 dhe përfundojnë zyrtarisht në prill të vitit 2022, ndërsa kontrata koncesionare është me jetëgjatësi 13 vite.

Realizimi i volumeve të punimeve ndërtimore është në masën 75%, ndërsa ngërçi më i madh është në Tunelin e Murrizit ku rrëshqitjet e dherave e pengon vijimin e punimeve me ritme të shpejta.

Më 29 nëntor u hapën për kalim 47.36 km rrugë, konkretisht segmenti Tiranë - Qafë Murriz – Klos, e gjatë 35.14 km, ku tuneli i Murrizit anashkalohet nga një bypass i ndërtuar nga kompania, i cili në përfundim të veprës do t’u mbetet në përdorim banorëve të zonës. Dhe segmenti tjetër i hapur është Ura e Çerenecit - Majtare dhe Maqellarë-Bllatë, gjithsej 12.22 km.

Ky investim shkurton me 2 orë distancën mes Tiranës dhe Dibrës dhe është mirëpritur nga banorët e zonës të cilët e kërkonin prej dekadash.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?