‘Rruga e Elbasanit' rrezik për këmbësorët dhe shoferët! S’ka mbikalim, mbi 200 banorë të zonës kalojnë mbi trafikndarëse: Jemi në mëshirë të fatit

24 Dhjetor 2023, 18:22| Përditesimi: 24 Dhjetor 2023, 18:46

  • Share

Një grua 54-vjeçare humbi jetën duke kaluar në këtë aks të rrugës së Elbasanit në Tiranë mëngjesin e të hënës në orën 06:10.

Të njëjtin itinerar ndoqi edhe kjo qytetare duke vënë në rrezik jetën e saj, teksa kapërcen mbi trafikndarësen, fatmirësisht pa u lënduar.

Gazetari: Pse e rrezikon jetën duke kaluar rrugën ashtu?

Qytetarja: Po tani, se na ka gënjyer mendja më shkurt edhe…

Kjo pjesë e “Rrugës së Elbasanit” është kthyer në rrezik si për këmbësorët që janë banorë të zonës, edhe por edhe për shoferët. 

"Kjo është trafikndarësja e vdekjes. Kalojnë rreth 200 familje dhe ne tani jemi në mëshirë ta fatit, por pak shpenzime duhen dhe sigurohet jeta e njerëzve", tha një banor i zonës.

Ky i ri vjen nga ana e djathtë e rrugës, qendron disa sekonda mbi trafikndarëse, sigurohet që asnjë makinë nuk po afrohet dhe kalon me shpejtësi.

Në këtë pjesë gjarpëruese të “rrugës së Elbasanit” ndodhet stacioni i autobusit dhe banorët e zonës e shohin kalimin e rrugës në këmbë si mënyrën më të lehtë për të mbërritur në anën tjetër.

Pak minuta më pas, në të njëjtin vend tre qytetarë rrezikojnë jetën e tyre duke vrapuar për të kaluar mbi trafikndarëse. Ata i kanë shtëpitë në anën tjetër të rrugës dhe këtë veprim e bëjnë çdo ditë, të vetëdijshëm për rrezikun.

Qytetarja: Çdo ditë, çdo ditë këtu kalojmë.

Gazetari: A ndiheni e rrezikuar?

Qytetarja: Normale! Duhet të bëhet një mbikalim aty, për të gjithë ne, do ishte mirë për të gjithë banorët e lagjes.

Nënkalimi është disa metra larg ndërsa dy pjesë ku mund të kalohet tek vijat e bardha, njëra te rrethrrotullimi i ekonomikut dhe tjetra te rrethrrorullimi pranë Saukut, por banorët mendojnë se zgjidhja më e mirë për ta do të ishte një mbikalim pranë stacionit të autobusit.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?