Për shkak të rrëshqitjes së tokës, rruga që lidh qytetin e Rrëshenit me Burrelin është shkatërruar. Në të gjithë gjatësinë prej 31 km ka dëmtime të asfaltit, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.
“Rrëshen-Perlat është gjithë gropa, është e dëmtuar deri në atë masë sa është e pakalueshme. Rruga është copë-copë. Ne jemi mësues shkojmë e vijmë përditë, kemi dëmtuar makinat. 5 vite që bëra unë këtej ska asnjë punëtor mirëmbajtje. Rruga ka 4-5 vjet që ka degraduar. S’ka asnjë punëtor që e mirëmban. Duhet të rregullohet një orë e më parë”, tha një mësues.
Kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi, kërkon nga qeveria që ta përfshijë segmentin Rrëshen-Perlat në projektin e rrugës së Lurës.
“Është ndër problemet thelbësore. Po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje me qeverinë. Bashkia mund të bëjë një mirëmbajtje të rrugës, por kemi lobuar me qeverinë që të rikonceptohet kjo pjesë nga Rrësheni në Perlat që të lidhet me pjesën e Lurës patjeter që shkojnë bashkë”, tha Mëlyshi.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një fond prej 23 milionë eurosh ka investuar në Rrugën e Lurës, që nis në fshatin Perlat të bashkisë Mirditë dhe përfundon në fshatin Fushë-Lurë të Bashkisë Dibër me gjatësi 41 kilometra.
Por ka mbetur jashtë projektit segmenti nga Perlati në Rrëshen, ndaj kryebashkiaku Melyshi kërkon nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ta rishikojë projektin madhor që i shërben zhvillimit të turizmit.