Ekonomi

Rruga Elbasan-Qafë Thanë do të zgjerohet edhe me një korsi! Në dhjetor hapen 4 tendera për korridorin blu

9 Nëntor 2021, 16:33| Përditesimi: 9 Nëntor 2021, 19:56

  • Share

TIRANË- Buxheti i përcaktuar për Ministrinë e Infrastrukturës për vitin 2022 plotëson vetëm 71% të nevojave që ka ky institucion. Ministrja Belinda Balluku gjatë prezantimit të buxhetit për këtë dikaster, tha se pavarësisht uljes me 1,9 miliardë lekë, projektet do të realizohen.

"MIE i janë dhënë vetëm 47.4 miliardë lekë dhe mbulon vetëm 71% e nevojave reale që kemi kërkuar për 12 programet tona. Për vitin 2022 ka pakësim 1.9 miliardë lekë krahasuar me vitin 2021. Kjo mungesë nuk do të sjellë mos funksionim, janë investime që do të shtyhen në të ardhmen dhe i kemi riparuar investimet 29 min plus projektet që do realizohen", tha Balluku. 

Përveç se renditi një sërë projektesh prioritare për vitin 2022, Balluku tha se do të ketë ndërhyrje për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë.

"Ne kemi një projekt për rrugë shpejtësie, Elbasan-Pogradec-Qafë Plloçë, problemi është kjo rrugë do të kërkonte më shumë se 5 vite. Për këtë arsye është vendosur që në çdo rast rruga alternative për një rrugë kombëtare për të ardhmen është e domosdoshme. Ajo rrugë nuk mund të qëndroj më në ato parametra sepse është rrugë e rëndësishme dhe brenda vitit 2022 do të nis zgjerimi i kësaj rruge. Projekti po përfundon ka pasur një studim fizibiliteti. Zgjerim segmenti deri në qafë thanë, si në Qafë Thanë që ka zgjerim 2 korsi + 1 shtesë", tha Ministrja.

Po ashtu ministrja Balluku tha se brenda vitit do të hapen 4 tendera për korridorin blu.

"Korridori blu do të hapet për informacion tuaj por jo me buxhetin e shtetit sepse është e pamundur të përballohet pasi flitet për 1.18 miliardë euro investim, nuk e ka këtë kapacitet Shqipëria. Ne do e ndajmë në 4 segmente, Muriqan-Milot, Milot-Thumanë, më pas Thumanë-Kashar dhe nga Kashari-Lekaj dhe Fier. Brenda muajit dhjetor gara do të hapet dhe shpresojmë të kemi kompani të huaja që të kenë interes për këto segmente", shtoi ministrja. 

Ndërkohë në Komisionet parlamentare Balluku foli edhe për naftëtarët të cilët do të paguhen dhe për 2 vite, ndërsa për vitin 2022 është parashikuar të jepen paga prej 30 mijë lekësh për 830 naftëtarë me një fond në buxhet prej 300 milionë lekë.

"Të 830 naftëtarët në kushte të papunësisë pasi nuk punon rafineria e Ballshit do i kompensojë me 300 milionë lekë, paga do të jetë 30 mijë lekë. Për të gjithë naftëtarët që nuk rifillojnë punë si në rafineri apo diku tjetër, ne si ministri do të marrim përsipër edhe financimin e tyre në vitin 2023", përfundoi Balluku.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?