Valbona Bodlli, e njohur si zonja e trëndafilave, prej 20 vitesh është marrë me shitjen e luleve në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë.
Për 53-vjeçaren nga Shijaku, jeta ka qenë plot sfida dhe sakrifica.
U detyrua të hiqte dorë nga profesioni i ekonomistes për arsye familjare dhe drejtimi që mori ishte krejt ndryshe nga ajo çfarë kishte imagjinuar ndonjëherë.
Në fshatin Rreth të Shijakut, është ndjerë shpesh e paragjykuar për zgjedhjen që bëri, por sot është e lumtur për ecurinë e punës së saj.
Nga një shitëse rruge, sot shumë klientë i shkojnë në shtëpi për të marrë porositë, duke i krijuar kështu lehtësi dhe ulje të kostove në punë.
Prindërit nuk arritën ta shikonin suksesin e saj, e duket se ky është pengu që i ka mbetur Valbonës.
Për emisionin “Një nga ne” rrëfen një ditë nga jeta e saj, orët e gjata duke punuar në tokë, mësimet që nxori nga puna në rrugë si dhe kujdesin që duhet të tregojmë për mbretin e luleve, trëndafilin.