Sociale

VIDEO/ Rruga mespërmes fshatit, banorët e Hotolishtit protestojnë me ‘arkivol’, përplasen dhe me Policinë: Të bëhet tuneli, na ndan më dysh dhe na prish fshatin

2 Maj, 13:51| Përditesimi: 2 Maj, 15:17

  • Share

Banorët e Hotolishtit në Librazhd protestuan sot për rrugën e re që kalon mespërmes fshatit të tyre dhe që bëhet burim aksidentesh dhe rreziku për jetët, por që u shemben edhe banesat, teksa fshati ndahet më dysh.

Nuk kanë munguar as përplasjet me policinë që kishte marrë masat për këtë tubim, por për momentin nuk raportohen incidente. Ata bllokuan segmentin, duke krijuar edhe radhë të gjata trafiku të mjeteve, teksa të pranishëm ishin edhe nxënësit e shkollës.

Gazetari i Report Tv, Ronaldo Gjoshi, informoi se banorët tentuan të bllokonin rrugën, teksa Policia nuk i ka lejuar, por më vonë ata janë ulur këmbëkryq duke u rreshtuar në të.

Ata kanë kërkuar një tunel me qëllim kalimin, duke shmangur segmentin në këtë zonë. Protesta përfundoi vetëm pas gati dy orësh, kur u liruan edhe të dyja korsitë e rrugës për qarkullimin e mjeteve.

Të grupuar ata u mblodhën sot (2 maj) në rrugë, duke protestuar me pankarta dhe në shenjë simbolike me një “arkivol” që simbolizonte vdekjen. 

Të pranishmit mbajtën fjalime duke kërkuar anulimin e projektit dhe gjetjen e zgjidhjes me anë të një tuneli, teksa në pankarta shkruanin:

“Hotolishti është gati të përgjigjet: Ose ju, ose ne!!”.

Banorët thanë se nuk kanë pasur informacione për rrugën e re, nuk janë thirrur për diskutime dhe takim me qëllim informimin, që të pyeteshin për këtë investim që kalon në mes të fshatit. 

“Ata nuk duan që t’u prishen banesat si pasojë e rrugës që kalon në fshat dhe e ndan atë më dysh. Edhe pjesa e vlerësimit e dëmshpërblimit është çështje e tyre”, tha gazetari Gjoshi.

Banorët bëjnë thirrje për zgjidhje nga qeveria.

“Të anulohet pojekti. Deri në vrasje do shkojmë, ka gjëra të tjera, ka pleh kimik, ure e të tjera. Na mashtrojnë. Nuk na kanë lënë rrugë tjetër, po na mashtrojnë. Më gjej një rast tjetër ku prishet një fshat për të ndërtuar një autostradë. Anashkalohet gjithçka, asnjëlloj diktature, as Pinoçeti dhe as Enver Hoxha nuk e ka bërë. A lejohet kjo? Niset koridori tetë dhe nuk ka projekt, nuk na kanë sjellë asgjë që ta shikojmë. Kanë vendosur makineritë, presin të mbarojnë zgjedhjet dhe të na prishin shtëpitë dhe të na nxjerrin përjashta.

Banorët thanë se ata nuk tërhiqen, madje edhe pas 11 majit do vazhdojnë protestat.

“Do vazhdojmë të protestojmë, nuk mbaron këtu. Do dalim edhe pas 11 majit, nuk tërhiqemi ne, mos të kujtojnë se nuk do dalim. të gjithë prekemi këtu, edhe fëmijët për shkollë preken, edhe mësuesit, edhe banesat prishen. Nuk është protestë politike kjo, kjo është frikë për ato që mund të ndodhin”, tha një banore tjetër.

Segmenti rrugor ka qëndruar i bllokuar për shumë gjatë, duke krijuar edhe trafik të rënduar të mjeteve në të dy korsitë. Në protestë ishin të pranishëm edhe fëmijët e shkollës, fëmijë dhe gjimnazistë.

 

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • George: 02/05/2025 18:17

    Une kam besim se zeri i banoreve te Hotolishti do te degjohet nga kryeministri Rama.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?