Ai është një shpirt i vetmuar, që endet mes dëborës, i heshtur, duke kërkuar pak ngrohtësi në mes të acarit. Çdo melodi është një hap më pranë një bote të ftohtë dhe të errët, ku dëbora mbulon gjithçka, përveç dhimbjes. E veç gjurmët mbeten pas, si të vetmet dëshmi të një rruge pa kthim. Kjo është gjendja emocionale që përcjell “Winterreise” (Rrugët Dimërore) e kompozitorit Franz Schubert, vepra që do të vijë në skenë mbrëmjen e kësaj të shtune, në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Ky koncert me muzikë dhome vokale, që përbëhet nga një cikël prej 24 lidesh apo këngësh vjen nën interpretimin e baritonit Artur Vera dhe pianistes Etrita Ibrahimi.
“Është vepra më e rëndësishme e repertorit të vokalit të muzikës së dhomës dhe është kënaqësi, sepse është ekzekutuar në memorjen time vetëm njëherë në Shqipëri, pasi është nga ato vepra shumë specifike. Është për një publik të rafinuar, që është mësuar me muzikën e dhomës dhe çmon muzikën detajiste.”, - thotë pianistja Etrita Ibrahimi.
Për realizimin e kësaj vepre ciklike, Schubert-i ka marrë poezitë e Wilhelm Müller, poet gjerman bashkëkohës i tij, të cilat i ka bërë bashkë.
“Vargjet kujtojnë një vepër të Dantes (Rime Petrose), që po ashtu ka si temë dashurinë e humbur. Ka një ‘lidhje gjaku’ si të themi me Danten dhe është shumë interesante edhe si poezi.”, - vijon Ibrahimi.
Para katër vitesh, pianistja Etrita Ibrahimi dhe baritoni Artur Vera kanë realizuar katër numra të ciklit të “Rrugë dimërore”, ndërkohë që tani e sjellin të plotë për publikun.
“Jemi gjendur aq mirë bashkë, sepse dhe idetë muzikore i kemi thuajse të njëjta, saqë thamë që duhet ta realizojmë patjetër ‘Winterreise’. Ishte dëshirë e kahershme e të dyve, për të sjellë këtë vepër, që na përshtatet shumë mirë edhe si karakter, por edhe si risi. Siç thashë është vetëm hera e dytë që ngjitet në skenë dhe publiku ka nevojë të dëgjojë vepra të reja, sepse muzika është e shumëllojshme dhe në Shqipëri ka shumë vepra që nuk njihen.”, - tregon pianistja.
“Është një koncert i një vështirësie të lartë, mbi të gjitha interpretative, sepse është një vepër monumentale, e fundit e jetës së tij dhe është nga ana psikologjike e rëndë për ta përballuar dhe për ta justifikuar siç duhet. Është sfidë e madhe për çdo këngëtar sepse ky cikël është i përshtatur për gati gjithë tipologjitë vokale të këngëtarëve. Është një sfidë më vete në repertorin e këngëtarit operistik, një gur i rëndësishëm në karrierën e çdokujt që e merr përsipër.”, - thotë baritoni Artur Vera.
“Rrugë dimërore” do të vijë e interpretuar në gjermanisht, megjithatë gjithçka është e kuptueshme nga publiku përmes muzikës, ndërkohë që poezitë do të vijnë të përkthyera në shqip përmes një monitori.
Krahas muzikës së Shubertit, pjesë e mbrëmjes do të jetë edhe vepra për piano, “Barokjare” e kompozitorit Aleksandër Peçi.
Komente

Winterreise perkthehet ne shqip Udhetime dimerore.
Përgjigju