Vetëvendosja ka sot 48 deputetë dhe është e paaftë të zgjedhë Kryetarin e Kuvendit. 26 seanca të dështuara me radhë, që e kthejnë jo vetëm Kuvendin, por edhe vetë shtetin e Kosovës në një realitet qesharak. Një shtet që, për shkak të paaftësisë për konsensus dhe arrogancës së partisë më të madhe, po ushqen pikërisht një nga pretendimet më të vjetra e dashakeqe të armiqve tanë: "që shqiptarët nuk kanë kapacitete shtetformuese".
Është shumë e thjeshtë për ta kuptuar këtë krizë: kemi të bëjmë me një përzierje të rrezikshme paaftësie, papërgjegjshmërie dhe mungese ndershmërie. Por mbi të gjitha – me një refuzim ideologjik për të pranuar vlerat themelore të demokracisë liberale, të cilat bazohen në dialog, negocim, mirëkuptim dhe konsensus.
Në vend të këtyre parimeve, sundon një mentalitet autoritar që e sheh qeverisjen si një duel force: ku i forti shkel sa të mundet dhe i dobëti nënshtrohet sa të durojë. Kjo qasje përjashtuese është dëshmuar nga Kurti në raport me mediat e pavarura, sindikatat, shoqërinë civile, institucionet e drejtësisë – por edhe ndaj aleatëve ndërkombëtarë.
Arroganca e këtij pushteti përkujton atë që Tocqueville e quante “tirania e shumicës”: Vetëvendosja pati vetëm një deputet më shumë se LDK-ja në 2019 dhe nuk hezitoi ta shkarkojë nënkryetarin e Kuvendit si të ishte leckë, pa asnjë konsideratë institucionale apo respekt kolegial. Ky nuk është as dialog politik, as kulturë demokratike – por sjellje e një pushteti që nuk njeh kufij moralë apo institucionalë.
Dikur, kur PDK ishte partia e parë, ndonëse me shumë më pak deputetë se Vetëvendosja sot, ajo nuk e mbante peng shtetin. Në vitin 2017, koalicioni PAN kishte vetëm 39 deputetë. Në vitin 2014, PDK pati 37. Në 2010 – 34. Dhe në 2007 – sërish 37. Por nuk u bllokua konstituimi i Kuvendit, sepse atëherë ekzistonte një kuptim minimal i përgjegjësisë dhe funksionimit institucional dhe vullnet për të arritur kompromis e ndërtuar aleanca.
Në vitin 2021, qytetarët i dhanë Vetëvendosjes një shumicë absolute mirëpo sivjet ia hoqën. Është koha që Kurti të mësojë rregullat e lojës demokratike – që përfshijnë ndarjen e pushtetit, respektin për diversitetin e opinionit dhe aftësinë për të bashkëqeverisur në koalicion. Përndryshe, çdo ditë që kalon vetëm sa forcon bindjen se shteti është i bllokuar nga një mentalitet autoritar dhe grotesk, që e trajton shtetin si pronë private dhe i përdhos parimet e demokracisë me arrogancë dhe përçmim.
Dhe kjo nuk është rastësi. Bëhet fjalë për një organizatë politike që në të kaluarën ka sulmuar Kuvendin dhe institucionet shtetërore me molotovë, gaz lotsjellës, spraj djegës, gurë, vezë e çdo mjet tjetër agresiv. Po kjo forcë politike, që sot kërkon legjitimitet institucional, dikur hidhte gozhda ndaj makinës në lëvizje të kryeministrit Mustafa dhe terrorizonte publikisht këdo që mendonte ndryshe – duke i gjuajtur me vezë në rrugë e institucione.
Kur një forcë politike ka treguar kaq hapur gatishmëri për veprime të dhunshme dhe antiligjore për të ardhur në pushtet, është krejtësisht e pritshme që të mos ngurrojë të shfrytëzojë çdo boshllëk ligjor për të bllokuar institucionet. Sepse nuk është ndërtuar si një parti me përgjegjësi ndaj shtetit liberal-demokratik, por si një lëvizje që i sheh institucionet dhe dialogun si pengesë e jo si themel të demokracisë.
Komente
