Këtë herë në “Esencë” rrugëtimi fotografik dhe nostalgjia na sjellin në vëmendje jetën e regjisorit Spiro Duni.
Edhe pse thotë se nuk ka një lidhje të fortë me nostalgjinë e së shkuarës ai na tregon për marrëdhënien e fortë që ka me të vëllain dhe motrat.
Kështu e nis rrëfimin nga thelbi, nga ajo që në shumë forma ndikon unin tonë të mëvonshëm personal dhe profesional, familja. Ai thotë se ishte këmbëngulja e të atit që ai të merrej me aktrimin.
Ishte krejt e natyrshme dhe një proces që do të ndodhte, i gjithë përqendrimi i tij i mëvonshëm tek teatri. Filmat ishin vetëm shtegu që kishte hapur rrugën, që ai të kishte tempull skenën e teatrit.
Aty ku e nisi me shfaqjen e parë, në teatrin “Skampa” në Elbasan, ku Bashkia e qytetit këtë vit i dha titullin “Qytetar Nderi”, për kontributin e tij të vyer në skenën e teatrit.
“E konsideroj veten me fat që kam punuar me emrat më të mirë të filmit dhe teatrit shqiptar” thotë ai teksa mes fotosh kujton shfaqje, takime e çaste që kanë shënuar jetën e tij.
“Regjisura është si një dirigjim pa partiturë”- thotë regjisori për të cilin teatri, ashtu sikurse për shumë profesionistë është një sëmundje prej së cilës nuk shërohet asnjë.
Vëmendja e brezit të ri ndaj punës së tij është një vlerësim që i fal kënaqësi, e siç e sheh ai lumturinë e një profesionisti të fushës së tij, e gjitha është skena dhe puna aty.
Një videomesazh nga e bija, Elina Duni ishte një moment emocionues për regjisorin. Ai tha se është një baba krenar dhe njëherësh shok dhe një bashkëpunëtor i së bijës në shumë projekte të përbashkëta, ku këngëtarja ka kompozuar dhe kënduar muzikë në shfaqjet e tij.
Regjisori e ka ndarë jetën mes Shqipërisë Greqisë dhe SHBA-ve dhe sërish zgjodhi vendin e tij dhe për këtë thotë se nuk pendohet.