Rrugëtimi i pazakontë i presidentit të zgjedhur të Brazilit, Da Silvas

31 Tetor 2022, 21:49| Përditesimi: 31 Tetor 2022, 22:14

  • Share

4 vjet më parë, figura dhe e ardhmja politike e Luiz Inácio Lula da Silvas ishte dëmtuar rëndë.

Ai vinte nga varfëria, u pasurua në një mënyrë jo shumë të pëlqyeshme, u ngjit në krye të Partisë së Punëtorëve, udhëhoqi Brazilin si President dhe më pas u burgos. Të dielën, pas një gare shumë të ngushtë, votuesit Brazilianë e zgjodhën atë për të drejtuar vendin e katërt më të madh në botë që ka një sistem politik demokratik.

Kjo mund të përcaktojë trashëgiminë tij politike.

“Ata u përpoqën të më varrosnin për së gjalli dhe ja ku jam," tha Da Silva në fjalimin e tij të dielën në mbrëmje pasi rezultatet konfirmuan fitoren e tij të tretë presidenciale. "Jam këtu për të qeverisur në një situatë shumë të vështirë. Por unë kam besim te Perëndia, se me ndihmën e popullit tonë, ne do të gjejmë një rrugëdalje për këtë vend”, tha ai.

Jeta e Da Silva ka përshkuar një rrjedhë të jashtëzakonshme.

Familja e tij u zhvendos nga një rajon i varfër në verilindje të Brazilit, në Sao Paulo për një jetë më të mirë, për t’iu bashkuar të atit, i cili ishte shpërngulur disa vjet më parë. Por kur mbërritën atje, zbuluan se ai po jetonte me një grua tjetër. E ëma e Da Silva mbeti e vetme dhe rriti vetë 8 fëmijë, më i vogli prej të cilëve ishte Da Silva.

Në nevojë për para, ai u bë zejtar metalpunues në moshën 14 vjeçare në rrethinat e qytetit. Një punë fizike gjatë të cilës ai humbi gishtin e vogël të dorës së majtë.

Ai u bë udhëheqës i sindikatave në një periudhë kur puna në prodhim ishte shumë e përhapur dhe e ktheu lëvizjen në parti politike. Ai hyri në garën e parë presidenciale në vitin 1989, të cilën e humbi, ashtu si edhe dy gara të mëvonshme.

Më në fund, në vitin 2020 ai fitoi duke u bërë punëtori i parë që mbante detyrën më të rëndësishme të vendit. Ai u rizgjodh 4 vjet më vonë pasi mundi kundërshtarin Geraldo Alckmin, i cili në këto zgjedhje u rreshtua në krah të Da Silva.

Eksportet drejt Kinës u zgjeruan duke rritur buxhetin e qeverisë dhe një program i gjerë ndihmës për mirëqenie sociale u dha mundësi dhjetëra milionë brazilianëve të ngjiteshin në shtresën e mesme. Zoti Da Silva la detyrën duke patur një popullaritet rekord prej 80% dhe presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama e cilësoi atë si “politikanin më popullor në botë”.

Dilma Rousseff, që u mbështet nga zoti Da Silva, u zgjodh Presidente në 2014.

Megjithatë, në mandatin e dytë të zonjës Rousseff, politikanë dhe biznesmenë të njohur u hetuan për korrupsion. Hetimi i zgjeruar rezultoi në një skandal për administratën e saj, bashkë me zotin Da Silva dhe pjesën tjetër të Partisë së Punëtorëve, që ai themeloi.

Hetimet zbuluan se kërkohej ryshfet në këmbim të kontratave qeveritare. Ato shkaktuan një recesion të thellë dy-vjeçar, për të cilin u fajësuan politikat e gabuara ekonomike të zonjës Rousseff duke rritur pakënaqësinë ndaj Partisë së Punëtorëve. Ajo u akuzua në 2016 për shkelje të ligjit në manaxhimin e buxhetit.

Ish-Presidenti Da Silva u dënua për ryshfet dhe vuajti dënimin në një burg të Curitibas. Burgimi e mënjanoi atë nga gara presidenciale e vitit 2018 dhe i hapi rrugën drejt fitores zotit Jair Bolsonaro, atëherë deputet.

Karriera politike e Da Silva ishte njollosur. Jeta e tij personale ishte shpërbërë. Bashkëshortja e tij u nda nga jeta, “për shkak të hidhërimit nga hetimi”, sikurse tha atëherë Da Silva.

Por, dalëngadalë ai filloi të mblidhte veten. Ai nisi të shkëmbente letra dashurie me një grua të quajtur Rosângela da Silva, shkurt Janja. Raporti i tyre mori jetë falë ndihmës së avokatit të Da Silva, Luis Carlos Rocha, që e vizitonte atë çdo ditë të javës.

Rocha u kthye në një “korrier të duruar”, duke fshehur letrat e zonjës Janja brenda xhepit të xhaketës së tij, ku rojet nuk kontrollonin. Ai i tha Associated Press se fytyra e Da Silva ndriçonte pas çdo zarfi shumëngjyrësh që ai i dorëzonte.

"Dashtë Zoti, një ditë do t'i botojmë letrat," tha zoti Da Silva në një tubim në shtator. "Por vetëm për personat mbi 18 vjeç".

Gjykata e Lartë nisi vlerësimin e ligjshmërisë së akuzave ndaj tij, të cilat përfundimisht i anuloi me arsyetimin se kryetari i trupit gjykues federal ka qenë i njëanshëm dhe ka bashkëpunuar me prokurorët.

Pas 580 ditësh burgim, Da Silva ishte një njeri i lirë, i lirë të martohej me të dashurën e tij dhe i lirë të kandidonte për presidencën. Kjo nuk e zmbrapsi Presidentin aktual të kërkonte një mandat të dytë dhe t'u kujtonte votuesve se përse u dënua Da Silva, duke paralajmëruar se nëse zgjidhej, atëherë “hajduti do të kthehej në skenën e krimit”.

Rikthimi i tij rigjallëroi pakënaqësitë ndaj Partisë së Punëtorëve. Fakti se shumë brazilianë ende e përçmojnë Da Silva ishte një arsye kyçe e garës së ngushtë mes dy rivalëve politikë, gjatë këtyre zgjedhjeve.

Majtisti Luis Inacio Lula da Silva fitoi me 50.9% të votave, rezultati më i ngushtë qëkurse Brazili u kthye në sistem demokratik tre dekada më parë.

Gjatë fjalimit të tij të fitores, Janja ishte në krah të tij, ashtu sikurse kishte bërë gjatë gjithë fushatës. Ajo shpërtheu në lot nga emocionet. Dhe nuk ishte e vetmja.

“Kam qarë kur u burgos. Tani qaj sepse ai do ta kthejë në normalitet Brazilin. Ai mund ta bëjë këtë”, tha një Claudia Marcos, një historiane 56 vjeçare që iu bashkua mijëra brazilianëve për të festuar fitoren e majtistit në sheshin kryesor të Sau Paulos.“Ai është feniksi ynë. Presidenti më i rëndësishëm në historinë e Brazilit”.

Nga zyrat qendrore të Partisë së Punëtoreve, Da Silva lexoi të dielën një fjalim të gjatë të shkruar me kujdes duke premtuar se do të bashkojë Brazilin. Ai do të marrë detyrën në 1 janar dhe ka deklaruar se nuk do të kërkojë një mandat tjetër. Kjo do të thotë se ky mandat presidencial mund të jetë “akti i tij i fundit”.

“Njeriun nuk e plakin vitet, por mungesa e kauzës”, tha Da Silva i cili mbushi 77 vjeç tre ditë para votimeve. “Brazili është kauza ime. Njerëzit e Brazilit janë kauza ime”./VOA

S.C/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?