Rrugorja e Lezhës ka bërë bilancin e 2 javëve të para të gushtit. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se gjatë kësaj periudhe janë vendosur 2094 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, përfshirë drejtim mjeti në efektin e alkoolit, përdorimin e celularit, mosvënien e rripit të sigurimit etj.
Ndërohë 3 shoferë janë prangosur dhe 14 të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë për "Drejtim të mjeteve në mënyrë të parregullt" dhe "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor".
Njoftimi i plotë:
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë rritur gatishmërinë dhe vigjilencën, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve, gjatë sezonit veror.
Gjithashtu, monitorojnë pandërprerë akset rrugore, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, të loguara dhe të paloguara, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti, si dhe parkimet e gabuara që bëhen pengesë për qarkullimin.
Gjatë këtyre dy javëve, janë arrestuar 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 14 të tjerë, për veprat penale "Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt" dhe "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor", si dhe janë vënë gjithsej 2094 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:
15 masa për mosvënien e rripit të sigurimit;
114 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse;
131 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
25 masa për drejtim mjeti në efektin e alkoolit;
23 masa për xhama të errësuar;
763 masa për parakalime të gabuara;
435 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar;
35 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve;
553 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore e Lezhës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Komente
