Policia Rrugore e Tiranës rrit goditjet ndaj shoferëve ‘rebelë’ dhe që bëhen rrezik për aksidentet në rrugët e kryeqytetit.
Gjatë 72 orëve të fundit, njoftohet se janë arrestuar dhe proceduar 10 shoferë, 2 prej të cilëve tentuan të korruptonin punonjësin e Policisë, për të shmangur ndëshkimin për shkeljet e kryera.
Si rezultat i përdorimit të mjeteve logjistike bashkëkohore, kryesisht radarëve dhe dronëve, janë vendosur 5083 masa administrative për shkelje të ndryshme rrugore. Gjithashtu, janë bllokuar edhe 8 automjete.
“Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, në zbatim të masave shtesë të ndërmarra me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, kanë vijuar kontrollet në akse të ndryshme rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve, që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo zënë hapësirat e dedikuara për lëvizjen e lirë të automjeteve”, njoftoi policia.
Nga kontrollet e kryera janë arrestuar 4 drejtues mjetesh, për drejtim automjeti në gjendje të dehur, 4 drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe 2 drejtues mjetesh, për korrupsion aktiv ndaj punonjësve të Policisë.
“Gjithashtu, gjatë kontrolleve, janë spostuar me mjet ngritës, automjete të konstatuara të parkuara në vendin e rezervuar për autobusë/taksi. Kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore”, theksohet më tej.
Në fund Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që:
“Të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos pengojnë lëvizjen e mjeteve të tjera, duke parkuar/ndaluar automjetet, në vende ku nuk lejohet. Njëkohësisht, apelon për të gjithë qytetarët, që për çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, sipas Kodit Rrugor”.
Komente
