Në Lushnje, fermerët gjithnjë e më shumë po orientohen drejt alternativave të reja duke gjetur teknologji që çon në rritjen e të ardhurave. Kultivimi i rrushit të tavolinës në sera është me leverdi, thanë fermeret që kanë nisur të marrin frutet e para që në qershor. Epërsitë e kësaj teknologjie janë dalja e hershme në treg, ç’ka përftohet në çmim më të lartë, mbrojtja nga insektet dhe fatkeqësitë natyrore si ngricat e breshëri.
“Kam 7 vite që kultivoj rrushin në sera. Është rrush i llojit viktoria që kërkohet nga tregu. Në sera ështe i mbrojtur nga era, insektet. Prodhimi eshte per eksport. Avantazhi eshte hershmeria se piqet shpejt. Cmimi me i larte. 250 lek/kg me shumicë. I gjithi shkon për eksport”, tha fermeri Jonuz Kasapi.
Në serat e fermereve gjejmë agronomin Dhimitër Qorri i cili mat sasinë e sheqerit dhe të pesticideve. “Rrushi “Made in Albania” testohet para se të shkojë në tregjet ballkanike dhe europiane”, tha ai.
Mirjan Sulo është një tjeter fermer që kultivon rrush në ambjente të mbrojtura në zonën e Karbunares së Lushnjes. Ai thotë se kjo metodë ka shumë përparësi, por mungon ndihma e institucioneve. Në këtë rast e Bashkisë së Lushnjes që ka lënë vreshtat ta vaditje. Po kështu shprehet i shqetësuar për kompanitë e sigurimeve që nuk kompensojnë për dëmet nga breshëri e ngricat.
“Kemi tre vite që bëjmë rrushin në sera dhe jemi të kenaqur. Eshtë me leverdi se është i mbrojtur, ndërsa pjeshkat që janë jashtë ra bresheri dhe u dëmtuan. Kompanitë private të siguracioneve nuk të kompensojnë për breshërin vetëm zjarrin dhe termetin njohin si fatkeqësi natyrore”, tha ai, teksa shton se “problem tjetër është vaditja. Pike uje ska per vaditje. I kemi pastruar kanalet thote zonja kryetare e bashkisë, por sytë e saj që t’i dalin...”.
Zonat kryesore të prodhimit të rrushit në sera gjenden mes kodrave dhe bregdetit nga Lushnja në Fier e Vlorë. Rrushi i prodhuar në sera i cilësisë së parë shitet kryesisht në Kosovë, Kroaci, Rumani, Slloveni, Serbi, Mal të Zi, etc.