Steve Witkoff dhe Marco Rubio

Bota

Rubio dhe Witkoff sot në Paris, nxitojnë të takohen me Macron: Jo më masakra në Ukrainë

17 Prill, 07:55| Përditesimi: 17 Prill, 08:06

  • Share

Mision surprizë në Evropë për Marco Rubio, kreun e diplomacisë amerikane, i shoqëruar nga i dërguari special Steve Witkoff. Dy figura të rëndësishme të administratës Trump mbërrijnë në Paris, ku sot do të zhvillojnë një takim me Emmanuel Macron. Një takim ballë për ballë që vjen pas javësh tensioni. Nuk është sekret që në Shtëpinë e Bardhë ka pasur shenja bezdie për aktivizmin e Macron në lidhje me garancitë e sigurisë që duhet t’i ofrohen Kievit në funksion të një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Moskën. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë udhëhequr përpjekjen për një “koalicion të të gatshmëve” të ngarkuar të shqyrtojnë një prani të drejtpërdrejtë ushtarake në Ukrainë, duke organizuar një sërë samitesh midis Parisit dhe Londrës. “Është një pozë, një Qëndrim”, komentoi me përbuzje Witkoff, duke shtuar se ai nuk e sheh të nevojshme një dislokim të forcave evropiane.

Por diçka po ndryshon. Gjenerali Kellogg ka shprehur dëshirën për praninë e “të gatshmëve” në një ndarje të re hipotetike të Ukrainës, e cila do të përfshinte zona ndikimi me një sektor franko-britanik. Dhe madje edhe Witkoff, një nga trumpistët më të afërt me Moskën, tani po tregon gatishmërinë për të përfshirë evropianët në skemën e një “paqjeje të qëndrueshme”, siç u njoftua pas takimit të tij të tretë me Vladimir Putin. Ky mund të jetë ndoshta fillimi i një pike kthese në dialogun e vështirë mes dy brigjeve të Atlantikut, në një moment kur negociatat midis Trump dhe Putin nuk po japin rezultatet e shpresuara nga lideri amerikan.

Sulmi rus ndaj qytetit të Sumyt, në verilindje të Ukrainës, vetëm pak orë pas udhëtimit të Witkoff në Shën Petersburg, shkaktoi të paktën 35 të vdekur civilë, duke konfirmuar – sipas Uashingtonit dhe Parisit – urgjencën e një zgjidhjeje të negociuar. Ky raund i ri takimesh është gjithashtu pjesë e një përpjekjeje të parë amerikane për të rifilluar dialogun me Teheranin për një marrëveshje të mundshme afatgjatë mbi programin bërthamor iranian. Pas Parisit, Witkoff do të vazhdojë drejt Romës, ku do të mbahet raundi i dytë i negociatave indirekte me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Vizita në kryeqytetin francez është simbolike për rolin që ka marrë Macron në përpjekjen për të koordinuar një qëndrim të përbashkët evropian, përballë normalizimit të marrëdhënieve me Rusinë, të vendosur nga Trump që në fillimin e mandatit të tij. Udhëheqësi francez ka irrituar disa partnerë, si Giorgia Meloni, dhe është dashur të marrë parasysh ndarjet e brendshme në kontinent, edhe pse BE-ja konfirmoi dje mundësinë e dërgimit të “këshilltarëve ushtarakë” në Ukrainë për të organizuar stërvitjen e forcave të armatosura ukrainase.

Pavarësisht njoftimeve dhe kontakteve intensive me Moskën, administrata Trump po shpreh një zhgënjim të shtuar për mungesën e përparimeve. Presidenti dhe këshilltarët e tij kanë kritikuar kokëfortësinë e Kremlinit, por vazhdojnë ta konsiderojnë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky përgjegjës për zgjerimin e pushtimit rus. Ka fshehtësi të plotë rreth asaj që mund të jetë rezultati i misionit në Paris. Sipas një deklarate të shkurtër nga Departamenti i Shtetit, Rubio dhe Witkoff do të jenë në Evropë për të zhvilluar “diskutime me homologët e tyre evropianë me qëllim përparimin e objektivit të presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës midis Ukrainës dhe Rusisë dhe ndalimin e masakrës”.

Ky është udhëtimi i tretë në Evropë për Rubio, zyrtari i administratës Trump që në Paris u perceptua menjëherë si më i hapur ndaj dialogut. Ndërkohë që Sekretari i Shtetit do të jetë në Paris, ku do të takohet edhe me homologun e tij Jean-Noël Barrot, ministri francez i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, do të takohet në Uashington me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në një ndërdialog midis dy brigjeve të Atlantikut./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?