Rubrika ‘Në Librari’/ Eris Rusi, 'American Dream’ një histori suksesi! 'Mashtrimi' nga autorja 'bestseller' Clark! Klasiku i Austen i ribotuar!

10 Dhjetor 2023, 12:18| Përditesimi: 10 Dhjetor 2023, 16:30

  • Share

Titulli: “American Dream”

Autor: Eris Rusi

Shtëpia Botuese: Toena

Çmimi: 1700 lekë

Beqir Potka arratiset nga ‘ferri’ komunist. Greqia do të jetë një rrugë e ndërmjetme, që do të pasohet me të tjera vuajtje, derisa të mbërrijë tek “American dream”. Historia shqiptare e shkruar nga Eris Rusi,  ka mbërthyer lexuesit duke bërë që libri jo vetëm të ribotohet, por edhe të përkthehet në anglisht. Një nga elementët më intrigues të prezantimit të romanit, ishte prania e vetë protagonistit për të cilin Rusi shkruan.

 

Titulli: “Mashtrimi”

Autore: Julie Clark

Shtëpia Botuese: Mediaprint

Çmimi: 1300 lekë

Një identitet sipas nevojës, Meg Uilliams është një mashtruese profesioniste, por gazetarja Keti Roberts që e gjurmon prej 10 vitesh është e vendosur që të hakmerret ndaj saj. Elona Qose sjell në shqip thrillerin familjar “Mashtrimi”. Një histori intriguese ku autorja bestseller Julie Clark zhytet në psikikën e dy grave, që ngulmojnë të vënë drejtësi për të shkuarën e tyre, në ngjarje ku asgjë mund të mos jetë siç mendohet.

 

Titulli: “Krenari dhe paragjykim”

Autore: Jane Austen

Shtëpia Botuese: Pegi

Çmimi: 1400 lekë

Mbi dy shekuj pas botimit të parë, “Krenari dhe paragjykim” mbetet një nga romanet më popullorë të letërsisë angleze. Gjergj Kaftani e risjell me një gjuhë të kuruar në shqip librin që autorja Jane Austen e konsideronte si “Fëmijën e vet të dashur”. Ndonëse ngjarjet ambientohen në një fshat anglez në fund të shekullit XVIII-të, përmes përballjes romantike të Elizabet dhe të dashurit të saj krenar, Darsit, Austen sjell një shfaqje plot finesë të një debati të qytetruar.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?