Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe Ambasadori i Polonisë, Karol Bachura

Politikë

Ruçi pret ambasadorin e Polonisë: Mirënjohje për mbështetjen për integrimin në BE dhe ndihmën për tërmetin

9 Dhjetor 2020, 13:03| Përditesimi: 9 Dhjetor 2020, 13:09

  • Share

TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e Polonisë, Karol Bachura, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri. Kryetari Ruçi e falenderoi Ambasadorin Bachura për kontributin në fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mbështetjen që Polonia i ka dhënë integrimit europian të Shqipërisë.

Prej vitit 1937, kur janë vendosur marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve e deri më sot, bashkëpunimi dypalësh është forcuar. Gjatë viteve të fundit ato janë fuqizuar  edhe nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë dhe organizimin e veprimtarive të rëndësishme të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe tregtar.

“Shqipëria i është mirënjohëse Polonisë për mbështetjen e saj të vendosur për integrimin europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor si edhe për kontributin aktiv për sigurimin e mbështetjes edhe të Grupit të Vishegradit. Ne vlerësojmë vizionin e Polonisë për domosdoshmërinë e integrimit të rajonit në BE dhe për të mos e lenë atë nën rrezikun e influencave joperëndimore.  Ju jemi gjithashtu mirënjohës edhe për mbështetjen  për rindërtimin pas pasojave të tërmetit të 26 nëntorit dhe ndihmën për përballimin e pandemisë.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. 

Ambasadori Karol Bachura falenderoi Kryetarin e Kuvendit për vlerësimin e bashkëpunimit shqiptaro-polak si edhe vlerësimin e kontributit të tij si Ambasador në fuqizimin e këtij bashkëpunimi. Ai vuri në dukje se Polonia dhe Grupi i Vishegradit, si një model i suksesshëm bashkëpunimi, do të vazhdojnë të mbështesin integrimin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe kjo ndihmë do të vazhdojë edhe gjatë procesit të negociatave dhe anëtarësimit.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë se si duhet të votoni më 11 maj?